2013-07-17 16:10:22

Cikël reflektimesh kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike: Njohja e Zotit


Po vijojmë ciklin kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike, përgatitur nga jezuiti, atë Dariush Kovàlçik. Reflektimi III i atit jezuit titullohet “Njohja e Zotit”.

Thua mund ta njohim Zotin vetëm me forcat tona? Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund të jetë ‘po’ ose ‘jo, në përkim me mënyrën si e kuptojmë fjalën ‘njohje’. Nuk mund të japim asnjë provë konkrete të ekzistencës së Zotit, sepse Absoluti nuk mund të përmbyllet në asnjë sistem të mendimit njerëzor. Nuk mund ta provojmë ekzistencën e Zotit, por për ta njohur, mund ta njohim, siç lexojmë në n. 31 të Katekizmit të Kishës Katolike. Mund ta njohim në kuptimin se “kemi argumente, që përkojnë, që na e mbushin mendjen e na krijojnë mundësinë të arrijmë në bindje të plota”. Me fjalë të tjera, një gjë është që njeri, duke u nisur nga bota të mund të arrijë në këtë njohje, e gjë tjetër, që kjo njohje t’i transmetohet me prova bindëse edhe tjetrit.

Katekizmi i Kishës Katolike nuk flet për vërtetimin e ekzistencës së Zotit, por për njohjen e Tij. Për këtë arsye është më mirë të mos flasësh aq për ‘provat e ekzistencës së Zotit’, sesa për ‘udhët’, që çojnë në njohjen e Absolutit.

Katekizmi kujton librin e Urtisë, në të cilin gjejmë fjalët e fuqishme: “Vërtet të pamend prej natyre ishin ata njerëz, që nuk e njohën Hyjin; ata, të cilët, prej të mirave që shihen, nuk ia dolën të kuptojnë atë që është … Sepse prej madhështisë e bukurisë së krijesave, mund të njihet, përmes krahasimit, Krijuesi i tyre(13,1-5). Kemi edhe pohimin e qartë të Koncilit I të Vatikanit: “Kisha Shenjte… thotë e mëson se Hyji… mund të njihet me siguri përmes dritës natyrore të arsyes njerëzore, duke u nisur nga sendet e krijuara”.
Të ftuar nga Katekizmi për ta njohur Zotin, mund të bëjmë një ushtrim, që e gjejmë tek ‘Ushtrimet Shpirtërore’ të Shën Injacit të Lojolës. Ftohemi të kundrojmë sesi banon Zoti në krijesat e Tij: në elementet, duke u dhënë qenie, … në bimët, duke i bërë të gjethojnë, në kafshët, duke i bërë të ndjejnë; në njerëzit, duke i bërë të kuptojnë (n.235). E të brohorasim bashkë me Psalmistin: “Qiejtë rrëfejnë lumninë e Zotit” (Ps. 19,1). Duke vijuar shfletimin e Katekizmit…







All the contents on this site are copyrighted ©.