Papa e persekutimet antikristiane: me të keqen nuk dialogohet, forca për t’iu kundërvënë,
vjen nga Krishti
Papa Françesku ka folur disa herë për përndjekjen e të krishterëve e për këmbënguljen
në fe. “Unë po ju çoj si delet në mes të ujqërve” u thotë Jezusi Apostujve në Ungjill,
duke u kumtuar se do të dorëzohen ndër gjykata, por duke u kujtuar edhe se “kush do
të ngulmojë deri në fund të fundit, do të shëlbohet”. Krishti në Ungjill i fton ndjekësit
e vet të jenë të butë, si pëllumbat e dinakë, si gjarpërinjtë. Në prak të muajit të
katërt të zgjedhjes në papni të Françeskut, po kujtojmë reflektimet e tij kushtuar
përndjekjes së të krishterëve, që vijon në mënyra të ndryshme në të katër anët e botës.
Të jesh i krishterë, do të thotë të ndjekësh Krishtin e prandaj Papa Françesku
kujton shpesh se nuk duhet të kemi frikë nga asnjë lloj persekutimi, ngado e sido
që të vijë. “Do t’ju urrejnë të gjithë, për shkak të emrit tim”, thotë Jezusi në Ungjill: “Udha
e të krishterëve është udha e Jezusit. Nëse duam të jemi ndjekësit e Tij, udhë tjetër
s’ka, veç asaj, që na tregon Zoti. E një nga pasojat e kësaj, është urrejtja, urrejtja
e botës, e edhe e princit të kësaj bote. Bota do vetëm çka është e saj. Unë ju zgjodha
nga bota: ishte pikërisht Ai, që e shpërbleu botën e që thotë ‘po ju dërgoj’! Na zgjodhi.
Hir i pastër. Me vdekjen e Tij e me ngjalljen, na shpëtoi nga pushteti i botës, nga
pushteti i djallit, nga pushteti i princit të kësaj bote. E zanafilla e urrejtjes
është pikërish kjo: shpëtuam! E këtë princi nuk e do, nuk do të na shikojë të shpëtuar,
na urren” (Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 4 maj). Papa Françesku
kujton se me princin e kësaj bote nuk mund të dialogohet, por vetëm t’i jepet përgjigje
me Fjalën e Zotit, që na mbron. Duhet të kemi përvujtëri e butësi, si delet, me bindjen
se na mbron Bariu. Pa të do të binim menjëherë në gojë të ujkut: “Mendojmë
për Jezusin në Mundimet e Tij. Profeti thotë: ‘Si një dele që shkon në kasaphanë’.
Nuk bërtet, aspak: është plot përvujtëri. Përvujtëri e butësi, Këto janë armët që
princi i botës, shpirti i botës, nuk mund t’i durojë, sepse propozimet e tij janë
propozime pushteti tokësor, propozime kotësish, pasurish të fituara udhëve të shtrembëra,
propozime, që krijojnë frymë të ligë”. Në Ungjill Jezusi flet edhe për
misionin e Tij. E Papa i ripohon fjalët e Zotit, në shërbim të ungjillëzimit, duke
i ftuar të krishterët të shkojnë në skutat e jetës e të botës: “Sot mund
t’i kërkojmë Shpirtit Shenjt të na e japë këtë zell apostolik, e edhe hirin t’i trazojmë
paksa gjërat, që janë tepër të qeta në Kishë; hirin të shkojmë përpara drejt skutave
të shpirtit njerëzor, skajeve të jetës. Tepër nevojë ka Kisha për këtë! Jo vetëm në
toka të largëta, në gji të popujve, që nuk e njohin ende Jezusin, por këtu në qytet,
në qytetin ku banojmë, ndjehet fort nevoja për kumtimin e Krishtit. Përpara, pra,
siç i thotë Zoti Shën Palit: “Merrni zemër!”. (Mesha në Shtëpinë e Shën
Martës, 16 maj 20103). Në faqet e Ungjillit Jezusi u kujton apostujve se do
të dorëzohen në gjykata, do të fshikullohen në kamxhik, do të nxirren para sundimtarëve
e mbretërve ‘për shkak të Tij’, për t’u dhënë dëshmi atyre e paganëve, por njëkohësisht
i fton të mos shqetësohen për fjalët që do të thonë, sepse “do të jetë Shpirti i Atit
ai, që do të flasë për ta”. U kujton edhe se do të urrehen nga të gjithë, për shkak
të emrit Jezus. E ky është realitet, realitet i persekutimit që, në rrjedhë shekujsh,
arrin në kohët tona, ndërmjet nesh: “Po, koha e martirëve nuk ka përfunduar:
e sot mund të themi se Kisha ka më shumë martirë, sesa kishte në shekujt e parë. Kisha
ka shumë burra e gra që mbulohen padrejtësisht me shpifje, persekutohen, mbyten nga
urrejtja, pse besojnë në Krishtin: njëri vritet se mëson katekizmin, tjetri, sepse
mban në qafë kryqin… Sot, në shumë vende, i marrin nëpër gojë kot, i përndjekin… Janë
vëllezërit, janë motrat tona që vuajnë, në këtë kohë martirësh” (Mesha
në Shtëpinë e Shën Martës, 15 prill 2013). Ku e gjetën dishepujt e parë forcën
për të bërë këtë dëshmi, pyet Papa, e prej nga u vjen gëzimi e guximi i kumtimit,
pa marrë parasysh pengesat, as dhunën? Nuk duhet harruar, vijon Ati i Shenjtë, se
Apostujt ishin njerëz të thjeshtë, nuk ishin skribë, dijetarë të ligjit, as nuk i
përkisnin klasës priftërore. Si munden, atëherë, me gjithë kufizimet, e në shënjestër
të autoriteteve, ta mbushnin Jeruzalemin përplot me mësimet e tyre? “Është
e qartë se këtë fakt të jashtëzakonshëm mund ta shpjegojë vetëm prania e Zotit, që
ishte me ta, e e Shpirtit Shenjt, që i shtynte të predikonin. Feja e tyre bazohej
mbi një përvojë të fortë personale; ata e kishin parë Krishtin të vdekur e të ngjallur,
prandaj nuk kishin frikë nga asgjë e nga askush, madje i shikonin persekutimet si
nder i veçantë, që u krijonte mundësinë të ndiqnin gjurmët e Jezusit e t’i përngjisnin
Atij, duke e dëshmuar me jetë”. Kjo ngjarje, që ndodhi në bashkësinë e
parë të krishterë, vijon Papa, na kujton diçka tejet të rëndësishme, që vlen për Kishën
e të gjitha kohëve, edhe për ne: “Kur njeriu e njeh vërtet Jezu Krishtin e beson në
Të, kur e ndjen praninë e Tij në jetë e forcën e ngjalljes së Tij, nuk mund të mos
e komunikojë këtë prani. E nëse ky njeri ndesh moskuptime ose kundërshtime, sillet
si Jezusi gjatë Mundimeve: përgjigjet me dashuri e me forcën e së vërtetës. Prej këndej, Papa lyp ndihmën e Marisë, që Kisha në mbarë botën ta kumtojë
me guxim Ngjalljen e Zotit e të japë dëshmi bindëse, me shenja dashurie vëllazërore:
“Dashuria vëllazërore është dëshmia më e afërt, që ne mund të japim për të treguar
se Jezusi është me ne i gjallë, se Jezusi u ngjall. Të lutemi posaçërisht për besimtarët
në Krishtin, që persekutohen: e në këtë kohë, nuk janë pak të krishterët, që pësojnë
persekutime, në shumë, shumë vende! Të lutemi për ta me dashuri, me gjithë zemër,
që ta ndjejnë praninë e gjallë e ngushëlluese të Zotit të ngjallur”.