Më 12 korrik kalendari kujton shën Gjon Gualbertin, abat
Më 12 korrik kalendari kishtar përkujton shën Gjon Gualbertin, abat Pak
të dhëna kemi për jetën e Shën Gjon Gualbertit, për të cilin po tregojmë së pari një
nga ngjarjet kulmore, atë që i shkaktoi kthesën e jashtëzakonshme. Një të Premte
të Madhe Gjon Visdomini hasi në një vend të vetmuar, jashtë Portës së Shën Miniatit,
vrasësin e të vëllait. Pa menduar dy herë, nxori shpatën nga milli. Kundërshtari,
i pa armatosur, ra në gjunjë dhe hapi krahët, duke kërkuar, në heshtje, mëshirë. Hija
e trupit të tij, me krahët hapur, në trajtë kryqi, e preku thellë Gjonin. E ngriti
nga toka vrasësin dhe e mori ngrykë. Që nga ky çast vendosi të largohej nga zhurma
dhe inatet e botës e të ndiqte jetën rregulltare. Por nuk e pati aspak të lehtë të
gjente paqen e ëndërruar. Hyri ndër Benediktinë. Murg në Shën Miniato, si pati paditur
abatin e vet dhe ipeshkvin i Firencës për simoní, siç quhet në gjuhën kishtare tregtimi
i gjërave që mbahen si të shenjta, iku nga kuvendi në kërkim të një strehe të re murgare.
Kështu arriti në Valombroza, një vend i shkretë ndër Apenine ku, me ndihmën e
Abatit Setimo, themeloi, së bashku me murgjër të tjerë të ikur nga Shën Miniato, një
bashkësi që vijoi të zgjerohej edhe me laikë të ardhur nga Firenca. Si pranoi detyrën
e abatit, Gjoni themeloi Urdhrin e Valombrozanëve. Deshi të kthehej tek mësimet e
Apostujve, të Etërve të Kishës, të Shën Bazilit e të Shën Benediktit, duke vënë theksin
posaçërisht mbi varfërinë dhe punën e dorës dhe duke u impenjuar drejtpërdrejtë në
veprimtarinë për reformimin e kuvendeve. I pastroi të gjitha kuvendet nga simoniakët,
duke i zëvendësuar me njerëz të rinj, të mbrujtur me shpirtin e Valombrozës, murgjër
që nuk predikonin me fjalë boshe, por me forcën e shembullit. Gjithë jetën e mbrojti
Kishën nga barinjtë e rremë. Më 1073, pak para se të vdiste, u la murgjërve të tij
këtë porosi: “Kur dëshironi të zgjidhni një abat, zgjidhni ndërmjet fretërve më të
thjeshtin, më të ëmblin, më të përulurin”.