2013-07-12 15:20:04

Atë Lombardi: hetime në Vatikan për imzot Skaranon; tolerancë zero për çdo veprim ilegal


Lidhur me ngjarjen, që ka të bëjë me imzot Nuncio Skaranon dhe hetimet e hapura për veprimtarinë e tij nga autoritetet vatikanase, për të hedhur dritë mbi dyshimet e lindura, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, jep disa sqarime të reja:“Me urdhëresën e 9 korrikut, lexohet në notën zyrtare, Promotori i Drejtësisë i Gjykatës së Qytet-Shtetit të Vatikanit, vendosi ngrirjen e fondeve, regjistruar pranë IOR (Institutit të Veprave Fetare) për llogari të imzot Nuncio Skaranos (aktualisht i pushuar nga detyra), në kuadrin e hetimeve nga ana e autoriteteve gjyqësore vatikanase, në vijim të raporteve mbi transaksionet e dyshuara, depozituar pranë Autoritetit të Informacionit Financiar (Aif). Hetimet mund të përfshijnë edhe persona të tjerë. IOR ia besoi Promontory Financial Group analizën objektive të fakteve e të rrethanave që kanë të bëjnë me llogarinë në fjalë, duke bashkëpunuar plotësisht me organizmin e rregullimit financiar të Vatikanit, Aif, dhe autoritetet gjyqësore, për ta ndriçuar plotësisht këtë rast. Në këto çaste IOR po kontrollohet nga Promontory Financial Group në të gjitha marrëdhëniet me klientët e me procedurat në fuqi kundër pastrimit të parasë.
Njëkohësisht, vijon nota, Instituti po merr masat e përshtatshme për të përmirësuar strukturat dhe procedurat e veta. Ky proces, i nisur në maj 2013, shpresohet të përfundojë nga fundi i vitit 2013. Siç ka deklaruar kohët e fundit presidenti, Ernst fon Fraiberg, IOR po ndjek një vijë të qartë për identifikimin sistematik e për tolerancë zero lidhur me të gjitha tipet e veprimtarive ilegale ose të huaja për Statutet e Institutit, të kryera nga laikët ose klerikët.Kujtojmë se me rastin e Asamblesë së 21-të të përgjithshme, që u zhvillua në Sun City të Afrikës së Jugut, Grupi Egmont, në të cilin bëjnë pjesë Njësitë e Informacionit Financiar nga e gjithë bota, pranoi në gjirin e vet edhe Autoritetin e Informacionit Financiar të Selisë së Shenjtë e të Shtetit të Vatikanit. Pjesëmarrja në këtë grup si anëtar me të drejta të plota do të thotë shkëmbim më i lehtë informacionesh në luftën kundër krimeve financiare. “Pranimi i Autoritetit në Grupin Egmont – deklaroi drejtori, Rene Brylhart – tregon për njohjen e përpjekjeve sistematike të Selisë së Shenjtë dhe të Shtetit të Vatikanit për të zbuluar e luftuar riciklimin e parave dhe financimin e terrorizmit”. Grupi Egmont është themeluar në vitin 1995. Aktualisht, numri i anëtarëve të tij ka arritur në 130 vende.







All the contents on this site are copyrighted ©.