2013-07-11 15:12:18

Papa Françesku e roli i meshtarëve, barinj në kërkim të deleve të vetmuara e larg vathës


Po mbushen gati katër muaj, që kur e pamë për herë të parë Horhe Mario Bergolion në lozhën kryesore të Bazilikës së Shën Pjetrit dhe dëgjuam atë ‘mirëmbrëma, të jashtëzakonshme, të ngrohtë, që do të pasohej me urime të tjera, thellësisht njerëzore: ‘mirupafshim’, ‘ditën e mirë’, ‘drekën e mirë’…. Ngrohtësi meshtari, ndjesi bariu, ashtu si e kupton ‘ipeshkvi i ardhur nga fundi i botës”, që tashmë ka emrin e një Shenjti, që u njësua plotësisht me Krishtin, duke u zhveshur nga çdo pasuri, për të pasuruar njeriun, posaçërisht të varfërin, e duke jetuar vetë ndërmjet të varfërve, si i varfër. Kështu e kupton rolin e meshtarëve, Papa Françesku: rol i bariut në shërbim të grigjës.
Fjalët e Papës tashmë njihen mirë në Kishë e në jetën e besimtarëve. Janë fjalë që dalin nga Ungjilli, për të hyrë në të përditshmen tonë, fjalë që, duke iu drejtuar Apostujve me thirrjen për t’u nisur në mision, i drejtohen secilit nga ne, që e kemi marrë thirrjen misionare nga gurra e Pagëzimit. E natyrisht, në radhë të parë, barinjve…
Koncepti është i thjeshtë, edhe pse teknologjia, që tashmë ka marrë dhenë, me prirjen për t’u larguar sa më shumë nga ‘punët e duarve të zeza’ e prirjen për t’u dukur paksa ‘snob’, domethënë për të imituar klasat dhe shtresat e larta, na bën të gjithëve paksa dyshimtarë. Kush ushtron mjeshtri praktike, nga ato që t’i ndotin duart, lëshon rreth vetes erën e zanatit, me të cilin fiton bukën e gojës. Erë toke të sapo lëruar, erë peshku të sapo nxjerrë nga rrjetat, erë bagëtie mbyllur në stallë. Apo erë gruri të sapobluar, erë druri të sapo zdrukthuar a erë të athtë lëkure të regjur. Erëra që janë lëkura e dytë, a ndoshta e parë, e fshatarit, zdrukthëtarit, peshkatarit, e njeriut të çdo zanati. E pikërisht kjo është ‘lëkura’ me të cilën Papa Françesku dëshiron t’i veshë ata, që ushtrojnë ‘mjeshtrinë’ e meshtarit, siç e sqaroi me fjalët e fuqishme, shqiptuar të Enjten e tij të parë të Madhe. Fjalë, që u përhapën në mbarë botën, me shpejtësinë e tweet-it:
“Këtë ju kërkoj: të jeni barinj, që u vjen era dele”.
E kjo do të thotë se meshtarit duhet t’i vijë era e shpirtit, që kullot. E Ati i Shenjtë i shton kësaj ere, edhe një tjetër, atë të vajit të Krishtit, të Mirosurit të Hyjit, që erdhi për ta spërkatur njerëzimin me këtë lëndë hyjnore. Meshtari i mirë, pohoi Papa, njihet nga mënyra si vajoset populli i tij. Kjo është prova më e sigurt:
“Shihet qartë kur njerëzit tanë lyhen me vajin e gëzimit: për shembull, kur dalin nga Mesha me fytyrën e atij, që ka marrë një lajm të mirë. E kur besimtari ndjen se parfumi i të Vajosurit, i Krishtit, përhapet përmes nesh, merr zemër të na besojë gjithçka dëshiron t’ia besojë vetëm Zotit: ‘Lutu për mua, atë, sepse kam këtë problem’; ‘më beko, atë’; ‘lutu për mua’, janë shenja që tregojnë se era e vajit shenjt përhapet nga petku, për t’u shndërruar në lutje, në lutje të popullit të Hyjit. Meshtari, që del pak nga vetja, që vajos pak, në vend që të jetë ndërmjetësues, bëhet pak nga pak vetëm sekser, bëhet përgjegjës. Të gjithë e dimë dallimin: sekseri e merr shpërblimin pa e vënë në lojë lëkurën, as zemrën. Prej këndej, nuk e merr falenderimin plot dashuri, që lind nga shpirti”(Mesha e Bagmit, 28 mars 2013).
Prifti-përgjegjës, për Papën, është një nga shmangiet më shqetësuese prej shërbimit meshtarak. Duke u nisur nga era, që del nga veshjet e këtij tip prifti, na kujton Papa, ndokujt mund t’i duket njeri i rafinuar, por sipas mendësisë së krishterë, ai është fals, sepse era e bariut mund të jetë e një tipi të vetëm: erë vathe, stani. Ky është parfumi i meshtarit të vërtetë:
“Jeni barinj, jo funksionarë. Jeni ndërmjetës, e jo sekserë. Ta keni gjithnjë parasysh shembullin e Bariut të Mirë, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të shpëtuar çka ishte e humbur”( Shugurimi i meshtarëve të rinj, 21 prill 2013).
Në Ungjill, vërejti Papa, duke u takuar me dioqezën e Romës vetëm tri javë më parë, kemi një fragment të bukur, që flet për bariun i cili, kur kthehet në vath, kujtohet se i mungon një dele; atëherë i lë të 99-tat e shkon ta kërkojë. Duhet të ecim pas gjurmëve të Kryebariut, porositi Papa, aq më tepër sot, kur kemi vetëm një dele të shpëtuar e 99 të humbura. Prej këndej ftesa e Atit të Shenjtë për t’u nisur në kërkim të deleve të humbura, në periferitë e qyteteve të mëdha, ku jetojnë njerëzit e në skutat e fshehta të zemrave të tyre:
"Kjo është përgjegjësi e madhe, prandaj duhet t’i lypim Zotit hirin e bujarisë, të guximit e të durimit për të dalë e për të predikuar Ungjillin. Ah! Kjo është e vështirë. Është më lehtë të rrish brenda katër mureve të shtëpisë, me delen e vetme, që nuk ka humbur. Më lehtë të rrish me të e ta krehësh, ta ledhatosh.... por ne, priftërinjtë, e edhe ju, të krishterët, të gjithë, Zoti na do barinj, jo krehës delesh; barinj!” (Takimi me Dioqezën e Romës, 17 qershor 2013).
E ashtu si grigja nuk mund të bëjë pa bariun, as bariu nuk mund të jetë bari, pa grigjë:
“Në fund të fundit, ipeshkvi nuk është ipeshkëv për vetveten; është për popullin; e prifti nuk është prift për vete, është për popullin; në shërbim të tij, për ta rritur, për ta kullotur popullin, grigjën e vet, apo jo? Për ta mbrojtur nga ujqit. E bukur të mendosh kështu! Kur, në këtë rrugë, ipeshkvi e bën këtë, krijon marrëdhënie të mira me popullin, siç pati krijuar ipeshkvi Pal me popullin e vet, apo jo? E kur prifti ka këto marrëdhënie të mira me popullin, jep dashuri: ndërmjet tyre lind dashuria, dashuria e vërtetë e Kisha bëhet e bashkuar” (Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 15 maj 2013).
Në fund, ftesa për të qenë barinj, që nuk i qethin, po i ruajnë delet. Papa kujton vazhdimisht shprehjen: “Një kishë e varfër, për të varfërit”, gjë që nuk do të thotë të synosh varfërinë masive, e as të dalësh për të lypur rrugash. Do të thotë të shkosh drejt Korpit e Gjakut të Krishtit, që është edhe mishi e gjaku i të urtit e i dijetarit. E gjithçka, në emër të revolucionit të vërtetë, që bëri Jezusi me Ngjalljen e Tij.









All the contents on this site are copyrighted ©.