2013-07-11 11:27:35

Më 11 korrik Kisha kremton Shën Benediktin Abat, Pajtor i Evropës


Sot me 11 korrik Kisha kremton festën e Shën Benediktit, themelues i Urdhrit benediktin e abat, Pajtor i Evropës, i bujqve, speleogëve, inxhinierëve.
Që për njerëzit e sotëm … të jetë i pacenueshëm e i shenjtë ideali i bashkimit shpirtëror të Evropës e të mos u mungojë kurrë ndihma nga qielli për ta realizuar në praktikë, e shpallëm Shën Benediktin - Pajtor të Evropës".
Me këto fjalë Papa Pali VI, më 24 tetor 1964, nga Montekasino, ku kishte shkuar për të shuguruar rishtas manastirin benediktin të shkatërruar prej bombardimeve aleate të 1944-tës, pikërisht në vendin ku Shën Benedikti kishte kaluar vitet e fundit të jetës, duke rrezatuar në të gjithë Kontinentin Evropian mesazhin e tij të përshpirtërisë e të fesë, dha këtë njoftim për shpalljen e Abatit shenjt të shekullit VI, themeluesit të monakizmit perëndimor, si Pajtor qiellor i Evropës.
Ndonëse dita e vdekjes së Shenjtit është 21 marsi, Festa e Pajtorit të Evropës kremtohet sot, sepse marsi përkon me Kreshmët. Gjithsesi murgjërit Benediktinë ia kremtojnë të dyja datat: atë të vdekjes dhe atë të shpalljes Pajtor i Evropës.
Në letrën apostolike "Pacis Nuntius" të datës 24 tetor 1964, Papa Pali VI shpjegonte edhe arsyet e kësaj shpalljeje, kërkuar me ngulm nga hierarkia dhe nga mbarë populli i Zotit, pasi edhe Piu XII e pati kujtuar Shën Benediktin si "Babai i Evropës" dhe vetë Gjoni XXIII e pati dëshiruar me gjithë zemër këtë ditë.
Ja ç'shkruhet në Letrën e Papës Montini:
"Ndërsa shembej Perandoria Otomane e disa zona të Evropës dukej sikur zhyteshin në errësirë, ndërsa të tjerat jetonin pa qytetërim e pa vlera shpirtërore, ai, me impenjimin e tij të palodhshëm, bëri që në këtë Kontinent të muzgët të lindë agimi i një epoke të re. Ai e bijtë e tij me kryq, libër e parmendë, qenë të parët që çuan progresin e krishterë ndërmjet popujve të përhapur nga Mesdheu e deri në Skandinavi; nga Irlanda e deri në rrafshinat e Polonisë.
Me Kryq, domethënë me Ligjin e Krishtit, siguruan qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e rendit të jetës publike e private… duke çimentuar atë unitet shpirtëror evropian, me forcën e të cilit popuj që flisnin gjuhë të ndryshme, ndjenë se po formonin një popull të vetëm. Popullin e Zotit.
Me libër, pastaj, domethënë me kulturë, vetë Shën Benedikti, nga i cili shumë manastire morën emër e forcë, shpëtoi me guxim providencial, në çastin kur trashëgimia humanistike rrezikonte të zhdukej, traditën klasike të botës së lashtë, duke i përcjellë të paprekur breznive të ardhshme, kultin e diturisë.
Me parmendë, së fundi, domethënë me kultivimin e arave e nisma të tjera me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e bujqësisë, ia doli mbanesh t'i shndërronte tokat djerr në fusha pjellore e kopshte të lulëzuara; e duke bashkuar lutjen me punën materiale, sipas motos së tij të famshme "ora et labora" - "lutu e puno!" fisnikëroi e lartoi djersën që rrjedh nga balli i ndershëm.
Shën Benedikti ndikoi fuqimisht mbi fatet e Kontinentit të Vjetër. Me urdhrin e tij murgar, “Patriarku i monakizmit perëndimor”, më pas bashkëpajtorë i Evropës, me Çirilin e Metodin, ushtroi një ndikim të pallogaritshëm në përhapjen e krishterimit në të gjithë Kontinentin. Prandaj Shën Benedikti përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht se nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit të saj. Ti lutemi Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë të patundur qendërsinë e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona e në veprimtaritë tona” .
Pra Shën Benedikti, Abat mbetet tepër aktual. Si dikur me dritën e qytetërimit të krishterë ia mbërriti t'i davaritë retë e zeza e të rrezatojë dhuratën e paqes, kështu edhe sot ai i prin jetës evropiane, duke ndërmjetësuar që Evropa të zhvillohet, të rritet e të përfshijë ndër kufijtë e vet të gjithë popujt që i përkasin e që dëshirojnë të jetojnë sipas motos "ora et labora" - me Kryq, me pendë e parmendë!







All the contents on this site are copyrighted ©.