2013-07-11 15:32:56

Kuvendi i Kosovës miraton projektligjin për amnistinë.


Me 91 vota pro, 17 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi sot pasdite Projektligjin për amnistinë.
Projektligji është mbështetur nga të gjitha partitë parlamentare të Kosovës, përjashtuar Lëvizjen “Vetëvendosje" e cila ka vlerësuar se përmes këtij ligji po amnistohet krimi.
Ndërkohë që në Kuvendin e Kosovës nisi debati për Projektligjin e amnistisë dhe miratimin e tij, jashtë ambienteve të Kuvendit të Prishtinës një grup qytetarësh protestonte kundër votimit të këtij projektligji.
Drafti është prezantuar para deputetëve nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili para deputetëve tha se projektligji e trajton çështjen e amnistisë në përkim me kushtetutën e ligjet në fuqi.
Njëherësh, Kuçi i njoftoi deputetët se janë marrë parasysh të gjitha vërejtjet e seancës së fundit, kur Kuvendi i Kosovës dështoi ta miratonte atë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme.
Më pas, gjatë debateve, projektligji është mbështetur nga partitë e koalicionit, PDK, AKR dhe pakicat.
Gjithashtu edhe dy partitë opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja i kanë dalë pro këtij ligji, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosja, e cila ka dalë kundër miratimit të këtij drafti.
Projektligji për amnistinë dhe domosdoshmëria e miratimit të tij dolën nga dialogu politik mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.







All the contents on this site are copyrighted ©.