Ndërmjet mendimeve të tjera të paharrueshme, që shprehu Papa Françesku gjatë vizitës
në Lampeduzë, është edhe urimi për fillimin e Ramazanit, drejtuar emigrantëve myslimanë,
që i takoi gjatë shtegtimit. Urimi, që agjërimi t’u sjellë fryte të begata shpirtërore
pasuar nga pohimi plol shpresa: “Kisha është pranë jush, që kërkoni një jetë më dinjitoze,
për vete e për familjet”. Mbi jehonën e këtij urimi në botën myslimane, flet,
në mikrofonin tonë, atë Samir Khalil, pedagog i historisë së kulturës arabe dhe islamologjisë,
pranë Universitetit të Shën Jozefit, në Beirut: Përgjigje: - Ndërmjet
emigrantëve, ka mundësi të ishin shumë myslimanë, por nuk ishte kjo arsyeja, që e
shtyu Papën t’u drejtonte urimin myslimanëve. Ishte vetë festa e Ramazanit, muajit
shpirtërisht më të rëndësishëm, e edhe fillimi i tij. Prej këndej, Papës, që është
tejet i ndjeshëm ndaj dinjitetit të njeriut, iu duk e nevojshme t’u drejtojë urimin
e tij besimtarëve të fesë Islame. Nuk mbajti ndonjë fjalim politik a shoqëror, e megjithatë
në mbarë botën myslimane në këtë çast, ndjehet fort jehona e urimit të Papës.
Pyetje:
- Atë Samir, kur kujtojmë urimin e Papës, nuk mund të mos kujtojmë edhe Egjiptin,
që ka aq shumë nevojë për paqe e pajtim,…
Përgjigje: - Po,
pikërisht. Problemi është se pati një hap të parë në këto revolucione, por ky hap
ndërroi ritmin pak muaj më vonë, sepse të rinjtë, që bënë revolucionet, nuk ishin
të organizuar: të vetmit, që ishin të organizuar e që nuk i përkisnin regjimit të
vjetër, ishin vëllezërit myslimanë. Prej këndej, e morën në dorë pushtetin në Tunizi,
në Egjipt, në Libi e gjetiu. Këtë po e shikojmë edhe në Siri: është një përballje
e këtij tipi ndërmjet myslimanëve sunitë, disa prej të cilëve shpesh janë ekstremistë
- e muslimanëve shiitë. Problemi fetar i Islamit është në qendër të të gjitha ngjarjeve.
Bota myslimane është në valim, kërkon rrugën ndërmjet ekstremizmit fetar, nga njëra
anë, e shekullarizimit të plotë perëndimor, nga ana tjetër. E kjo vijon që prej dy
vitesh e gjysëm: nisi me të ashtuquajturën ‘pranverë arabe’, në dhjetor 2010. Ky është
çasti kryesor e Papa foli fjalët e duhura, sepse theksoi përtëritjen shpirtërore e
bëri urimin për fryte të begata, fryte paqeje, qetësie, bashkëpunimi me të gjithë,
fryte të mospërdorimit të dhunës. Larg dhunës, është urimi i Papës për një botë, ku
dhuna është gjithnjë e pranishme. Mendoj se Papës i mjaftuan vetëm tri fjalë, për
të thurur me to shprehjen e duhur.
Pyetje: - Atë Samir, më duket
se këto fjalë u shtohen edhe të tjerave, shqiptuar nga Papa lidhur me dialogun ndërfetar…
Përgjigje:
- Më duket e natyrshme; edhe fjalimet e tjera e komentet e Ungjillit, që
bën çdo ditë, kanë si bazë pikërisht përshpirtërinë. E kështu edhe fjalimet ekumenike,
ndërfetare e ndërnjerëzore. Është baza e të gjithave, për Papën Françesku, edhe pse
në ushtrimet shpirtërore të Shën Injacit, që e kanë ushqyer gjithë jetën, baza e të
gjithave është konceptimi i njeriut, duke u nisur nga shpirti e nga përshpirtëria.