2013-07-10 19:24:57

Muzeu kombëtar i artit mesjetar i Korçës qendër e ikonografisë


Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, i shpallur muze Kombëtar në vitin 1992, është institucioni kulturor i vetëm kombëtar i fushës së ikonografisë. Muzeu i përuruar më 24 Prill 1980, është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë.
Drejtoresha e Muzeut, Tatjana Caca, thotë për ATSH-në se qyteti i Korçës është një qytet me fat, që ka një institucion kaq të rëndësishëm, përsa i përket ruajtjes, propogandimit, ekspozimit dhe konservimit të këtyre veprave që i përkasin trashëgimisë kulturore.
Në këtë muze ndodhet një koleksion mjaft i madh në numër me mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit.
Në fazën e parë të themelimit të tij, në vitet '80, organizimi i ekspozimit të muzeut ka patur për bazë objekte të kulturës popullore. Ndërsa pas viteve '90 muzeu u konceptua ndryshe, me futjen e ikonave, si pjesë e rëndësishme e këtij koleksioni.
Në muze janë të ekspozuara punime arti me vlerë, të piktorëve shqiptarë që përfshijnë një periudhë historike pesëshekullore. Muzeu pasqyron edhe objekte e makete të arkitekturës së ndërtesave popullore të shekujve V-XIII, punime në metal argjendi dhe ari, zbukurime të përdorimit të përditshëm si punime druri, veshje, qëndisma, etj. Në muze ka objekte metali si, kapakët e Ungjillit, kryqe, eksapterga, potira, etj, objekte këto që janë përdorur në shërbimet fetare në kishë.
Në sallën kryesore të ekspozitës ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV (pasi në këtë periudhë piktorët dhe ikonografët nuk e nënshkruanin emrin dhe datën, dhe ikonat janë të paidentifikuara) dhe vepra të tjera të periudhës post Bizantine, prej shek. XV deri në fillim të shek. XX, të autorëve të mirënjohur si, Onufri, Nikolla Onufri (djali i Onufrit), Onufër Qiprioti (piktor jo shqiptar, ai ishte me origjinë nga Qipro, por me një aktivitet të bollshëm në fushën e ikonografisë), Simoni i Ardenicës, Mësues Kostandini, Kostandin Jeromonaku, Kostandin Shpataraku (i njohur me ikonën "Shën Gjon vladimiri" ku pjesë e ikonës është edhe figura e Karl Topisë), Selenicasi, vëllezërit Katro (ose Çetiri), vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi (korçarë, dy prej ikonografëve më prodhimtarë të shek. XVIII) dhe më pas edhe dy djemtë e tyre Tërpo dhe Eftim Zografi.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar vizitohet nga një numër i konsiderueshëm artdashësish, pelegrinësh, studentësh, nxënësish vendas e të huaj. Ai është, pa dyshim, një qendër referimi e studiuesve, historianëve, teologëve edhe shkencëtarëve bizantologë nga i gjithë globi. Përgjithësisht, sezoni i verës është më fluksativ përsa i përket vizitorëve. Vetëm gjatë 3 muajve të fundit muzeu është vizituar nga rreth 1200 vizitorë.







All the contents on this site are copyrighted ©.