Imzot Perego: Papa nga Lampeduza, ngre zërin kundër trafikut të njerëzve
Përballë më se dhjetëmijë vetëve, që ndoqën Meshën në fushën sportive të Lampeduzës,
Papa Françesku lypi falje. Falje Zotit, për indiferencën ndaj vëllezërve e motrave,
për anestezinë e zemrave, shkaktuar nga mbyllja në mirëqenie, për ata që, me vendimet
e tyre krijojnë situata kaq dramatike. Qortim i fortë, ky, në drejtim të bashkësisë
ndërkombëtare, për të cilin flet, në mikrofonin tonë, Xhankarlo Perego, drejtor i
përgjithshëm i Fondacionit Migrantes: Përgjigje: - Nga këto fjalë
dolën krejt qartë në pah dy qortime në planin ndërkombëtar: i pari, dënimi i tregtarëve
të skllevërve modernë, tjetri, ftesa për ta qeverisur këtë situatë, në të cilën masa
të mëdha njerëzish lëvizin, në mëshirën e fatit. E për ne, kjo do të thotë më shumë
bashkëpunim ndërkombëtar, më shumë vëmendje në kanalin humanitar, që njerëzit të mos
shiten e të blihen si kafshë, por të lëvizin të sigurt, të ikin me shpresë se nuk
do t’u mungojë streha, kur detyrohen, nga persekutimet e lufta.
Pyetje:
- Një nga djemtë, që takoi Papa në Lampeduzë, i tha: “Jemi të detyruar në një
farë mënyre të mbetemi në Itali. Nuk kemi perspektiva. Ishte një zë, që fliste për
shumë zëra...
Përgjigje: - Sigurisht. Projekti i ri “strehim
evropian’ synon t’u përgjigjet këtyre kërkesave të rëndësishme, domethënë, përpiqet
për t’u krijuar njerëzve mundësi që të zhvendosen edhe në shtëpinë e përbashkët evropiane,
për të gjetur strehim, por edhe për të lehtësuar bashkimet familjare, duke kapërcyer
pengesat, që i detyrojnë etër e bij të jetojnë larg njëri-tjertit, në sa bashkëjetesa
është aspekt tejet i rëndësishëm i dinjitetit të njeriut. Pa llogaritur këtu se shpesh
prindërit janë pleq e u mungon çdo ndihmë e mbrojtje, kur fëmijët janë tepër larg.
Shpresojmë se ‘strehimi i ri evropian’do ta ketë mirë parasysh këtë aspekt, pikërisht
parë në këndvështrimin e mikpritjes, që e meriton çdo njeri. E kjo vlen edhe për Italinë,
që është ndërmjet vendeve më të fundme në këtë tip strehimi për refugjatët, në kontekstin
evropian, por edhe për mundësinë e lëvizjes të refugjatëve në plan evropian, për mbrojtjen
e tyre e të familjeve të tyre, duke u krijuar mundësinë të jetojnë së bashku.