2013-07-10 18:30:27

Cikël reflektimesh mbi Katekizmin e Kishës Katolike: Dëshira për Zotin!


Në kuadrin e Vitit të Fesë, nisëm një cikël të ri kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike, përgatitur nga jezuiti, atë Dariush Kovalçik. Reflektimi I i kushtohej paraqitjes dhe ftesës për ta lexuar Katekizmin. Reflektimi II titullohet “Dëshira për Zotin”.

“Dëshira për Zotin është e shkruar në zemrën e njeriut”- ja, këto janë fjalët e para të Katekizmit. Ky pohim na kujton se njeriu është në lidhje të përhershme me Pafundësinë. Hyji tha: “Të dua, Adam’. E Adami u krijua. Prandaj Shën Agostini, në “Rrëfimet” e tij, shkruan: “Na bëre për vete e zemra jonë nuk gjen prehje, derisa të pushojë në Ty”.

Dëshira për Zotin nuk është gabim i një evolucioni të verbër, as pretendim absurd i njeriut, që dëshiron të depërtojë në Pafundësi. Kjo dëshirë mund të realizohet e të përmbushet vërtet. Katekizmi nënvizon se njeriu është i aftë për ta njohur Zotin, sepse kështu u krijua – nga Zoti e për Zotin. Atëherë kjo ‘të jesh i aftë’ të takohesh të hysh në bashkim me Zotin, nuk është shpikje e rreme. Na e dha vetë Krijuesi e Shëlbuesi ynë. E pikërisht kjo është arsyeja më e lartë e dinjitetit njerëzor.
Por, a e ndjejmë vërtet në shpirtin tonë dëshirën për Zotin? Katekizmi thotë se kjo dëshirë “mund të harrohet, të nënvleftësohet e deri edhe të mos pranohet aspak nga njeriu”. Thua mund të mohohet zëri i thellë i zemrës? Një nga shkaqet e një sjelljeje të tillë mund të jetë “rebelimi kundër së keqes”. Pastaj mund të sillemi si fara ungjillore e hedhur ndër ferra: shqetësimet e botës e të pasurive ia marrin frymën dëshirës, që duhet të zërë kryet e vendit në shpirtin tonë. Shkaqet e tjera të zbehjes së dëshirës për Zotin, që i kujton Katekizmi, janë: shembulli i keq i besimtarëve, rrymat e mendimit në armiqësi me fenë e, mbi të gjitha, prirja e njeriut mëkatar për t’u fshehur prej syve të Zotit.

Ta marrim, pra, Katekizmin në dorë. Ta shfletojmë. Të ndalemi tek numri 27. E të zbresim në thellësitë e zemrës sonë, për të rizbuluar dëshirën për Zotin, domethënë, natyrën tonë të vërtetë, të thirrur për të pushuar në Hyjin e vetëm në tri Vetje. Të shfletojmë...







All the contents on this site are copyrighted ©.