2013-07-10 18:29:15

25-vjetori meshtarisë së pesë priftërinjve të Kosovës


Në shenjtëroren e Zojës së Madhe në Letnicë të Kosovës, më datën 9 korrik, pesë meshtarë kosovarë shënuan sot 25-vjetorin e shugurimit të tyre meshtarak. Janë dom Lush Sopi, dom Tomë Karrica, dom Marjan Marku, dom Kelmend Spaqi e dom Mato Jakovic kremtuan Jubileun e tyre meshtarak me një bashkëkremtim solemn të Eukaristisë së Shenjtë, me pjesëmarrje të besimtarëve, të rregulltareve e të ipeshkvit të vendit. “Falënderojmë Hyjin, familjarët, miqtë e dashamirët që na kanë përkrahur e i janë lutur Zotit për ne”, shkruajnë në fletëthirrjen e tyre meshtarët e përmendur. Homelinë e Meshës e mbajti dom Marjan Marku, të cilën po e botojmë në vijim.
Predikimi di dom Marjan Marku, mbajtur me rastin e 25-vjetorit të meshtarisë, në Shenjtëroren e Zojës së Madhe në Letnicë, të martën më 09. 07. 2013
Shkëlqesi e nderuar imzot Gjergji,
të dashur vëllezër në shërbimin meshtarak,
të nderuara motra rregulltare,
i nderuari kryetar i komunës së Gjakovës, zoti Lekaj,
vëllezër e motra!

Edhe pse jam më i riu me moshë, falënderoj don Mato Jakoviq, don Lush Sopin, don Tomë Karricën e don Kelmend Spaqin që më kanë nderuar, duke më deleguar që në emër të të gjithë neve të ju drejtoj disa fjalë mbi meshtarinë e shenjtë e t’i falënderoj të gjithë ata që në çfarëdo mënyre na kanë përkrahur gjatë këtyre 25 viteve të meshtarisë sonë.

Krishti – Meshtar i vërtetë
Saktësisht në ditën e shugurimit tonë meshtarak, pas 25 viteve kemi ardhur këtu tek Zoja e Bekuar Crnagore në Letnicë për të falënderuar Hyjin, për shërbimin tonë në vreshtin e Zotit.
Meshtari është „alter Christi“, Krishti tjetër, sipas thënies së shën Palit: «jetoj, por jo më unë, në mua dhe përmes meje jeton Krishti» (Krah Gal 2, 20). Shën Pali po ashtu shkruan: Ai është ndërmjetës midis Hyjit e njerëzve (Tim 2, 5). Ai është i dërguar nga Ati dhe i forcuar me Shpirtin Shenjt për të sjellë veprën e shëlbimit.
Meshtar i vetëm dhe i vërtet është Jezu Krishti. Ai „na bënë shenjtër përmes meshtarisë së tij", këndon Kisha për Rrëshajë. Shën Gjon Maria Vianej thotë: “Meshtaria është dashuria e zemrës së Krishtit”.
E gjithnjë shën Gjon Maria Vianej, kur në vitin 1818 erdhi në Ars, pyeti një fëmijë 12-vjeçar për të mësuar rrugën që shkonte deri në Ars. Pasi fëmija i tregoi udhën për në Ars, shën Gjoni i tha: “Ti ma tregove rrugën për në Ars, ndërsa unë do ta tregoj rrugën për në qiell”.

Meshtaria dhe thirrja
Sipas shembullit të profetëve e apostujve, meshtari është i thirrur nga Hyji e me hirin e Tij aftësohet për shërbim. Kisha e merr këtë thirrje si dhuratë të Hyjit. I lumturi, Papa Gjoni Pali i II thotë: “Thirrja meshtarake është një fshehtësi. Ajo është fshehtësi e një „shkëmbimi të mrekullueshëm“ ndërmjet Hyjit e njerëzve. Ai vë në dispozitë Hyjin e bërë njeri, që kështu ai t’iu shërbejë atyre si vegël shëlbimi”.
Zoti Jezus i zgjodhi edhe 72 nxënës tjerë dhe “i dërgoj dy nga dy përpara vetes në çdo qytet e vend, ku mendonte të shkonte. Ata u kthyen tek Jezusi me plotë gëzim për sukseset e tyre” (Lk 10, 1. 17). Po, sot edhe ne kemi ardhur plotë me gëzim para Krishtit e Zojës së bekuar për të shpreh mirënjohjen për veprimtarinë tonë meshtarake 25-vjeçare, për të falënderuar për sukseset dhe gëzimet që përjetuam.

Fjala e Hyjit
Profeti nuk është një paratregues i gjërave, siç mendon shumëkush. Profetët janë si meshtarët, ata i flasin popullit me porosi të Hyjit, dhe i drejtohen Hyjit me porosi të njerëzve. Një shembull të mirë mbi figurën e profetit na paraqet dialogu ndërmjet Hyjit e popullit të tij me ndërmjetësim e Samuelit, siç pohon leximi i sotëm biblik nga 1 Sam 8, 4-8. 22.

(Duart e meshtarit)
Shën Augustini thotë: Të shkojmë tek Pjetri. Në momentin kur Krishti ia besoi Pjetrit delet , ai dëshironte ta lidhte me vetveten, që gjatë dorëzimit të deleve të mbetet ai vetë kryet, ndërsa Pjetri të përfaqësonte trupin e tij, pra Kishën, e të qëndronin të lidhur siç janë të lidhur dhëndri e nusja: dy në një trup të vetëm. Çka e pyet më parë Jezusi? „Pjetër, a më do?“. Ndërsa Pjetri përgjigjet: “Po, të dua”. Jezusi e pyet përsëri: „A më do?“ e Pjetri përgjithet: „Po, të dua“. E pastaj e për të tretën herë Jezusi i thotë Pjetrit: „A më do?“ e ai përgjigjet: „Po, të dua, Zotëri“. Kështu ai vërteton dashurinë e përforcon bashkimin. Nëse të gjithë janë të bashkuar në ruajtjen e grigjës, Bariu i vetëm dhe i vërtetë është vetëm Krishti. Ne sot jemi bashkuar pranë Nënës sonë qiellore për ta thelluar edhe më tepër dashurinë e fenë tonë në Jezu Krishtin e ndaj Jezu Krishtit.

Meshtari dhe eukaristia
Meshtari duhet të jetë mësues i vërtetë i fesë, me kremtimin e sakramenteve ai shenjtëron dhe me jetën e tij shpirtëror ai e udhëheq popullin e Hyjit drejt jetës së pasosur.
Meshtari e prezanton Krishtin – kjo do të thotë përmes veprimit të tij meshtarak, përmes dashurisë dhe vetëmohimit të tij, Krishti bëhet i pranishëm në eukaristi. Në të njëjtën kohë, meshtari prezanton edhe bashkësinë e bashkuar, lavdinë dhe flinë e tyre, të cilat ia paraqesin Hyjit në eukaristi.
Papa Benedikti i XVI thotë: Hyji e dëgjon meshtarin. Ai i flet dy fjalë dhe në fjalët e tij Zoti zbret nga qielli e hyn në atë hostie të vogël. O sa i madh është meshtari!
Meshtari vepron në personin e Jezu Krishtit. Ai ia paraqet Krishtit gjithë personin e tij, trupin e tij, buzët e tij, duart e tija, që Krishti t’ia dorëzojë dhe t’ia paraqesë atit qiellor këtë fli për shëlbimin tonë.
Flija e meshtarit dhe vetëmohimi i tij janë të lidhura me flinë e Krishtit në kryq. Nuk duhet harruar situatën e vështirë e të rënd gjatë luftës së fundit në Kosovë, atëherë kur gjithçka ishte në rrezik dhe e pasigurt. Çfarë kontributi të madh dha Kisha katolike me në krye ipeshkvin e meshtarët në Kosovë. Duke mos veçuar askënd, mund të pohoi se ata me plotë dashuri e vetëmohim u gjetën pranë njerëzve, pranë nevojtarëve, pranë të gjithë atyre që gjendeshin në vështirësi e kishin nevojë për ta.

Përshpirtëria e meshtarit
Meshtari duhet të jetë mik me Krishtin (Mk 3, 14). Sikurse shën Gjoni apostull që mbështeti kokën e tij pranë zemrës së Krishtit, ashtu meshtari duhet ta mbështes kokën e tij në dyert e tabernakullit të shenjtë.
Çelësi i besnikërisë së meshtarit ndaj Krishtit është në lutje. Meshtari quhet „alter Christi“ dhe ai nëse nuk e njeh Krishtin, si mund të jetë frytdhënës, apo si mund të jetë i lumtur? Ai kurrë nuk do ta kuptojë thelbin e thirrjes së tij, që përmes sakramentit të shugurimit bëhet i ngjashëm me Krishtin, bëhet si Krishti. Dashuria e Hyjit mund të krahasohet edhe me dashurinë njerëzore. Njerëzit kërkojnë njëri-tjetrin, ecin me njëri-tjetrin, njohin njëri–tjetrin dhe kështu dashurojnë njëri – tjetrin. Ne duke qëndruar para tabernakullit të shenjtë, qëndrojmë para Krishtit i cili na do, e ne në këtë mënyrë tregojmë dashurinë tonë ndaj Ti. Ai është i pranishëm në tabernakull me trupin e tij, me gjakun e tij, me shpirtin e tij, me Hyjninë e tij.

E Lumja Virgjëra Mari, Nënë e meshtarëve
Sivjet, pikërisht kur kremtojmë Vitin e Fesë, kemi ardhur tek Maria, tek Nëna e Hyjit e Nëna jonë për ta falënderuar për këto 25-vite, por edhe për të mësuar prej saj.
E virgjëra Mari përherë na udhëheq sa më afër zemrës së Krishtit e thotë: shikoje, ja ku është. Ajo, më përvujtërinë e saj, me çiltërsinë e saj, me vetëmohimin e saj, me pranimin e Fjalës së Mishëruar Hyjnore na udhëheq tek i Biri i saj. Cili meshtar dashuron, cili meshtar studion dhe ushqehet nga kjo Fjalë, ai atë Fjalë do ta pranojë në trupin e tij dhe ajo Fjalë do ta shndërrojë jetën e tij.
E lumja Nëna Tereza thoshte: mund të shohim në rrugë tela të vegjël ose të mëdhenj, të rinj ose të vjetër, të lirë ose të shtrenjtë. E për sa kohë që nëpër ta nuk rrjedh e kalon rryma, nuk mund të ketë dritë. Teli je ti dhe unë! Rryma është Hyji! Ne e kemi në dorë mundësinë për të lejuar rrymën të rrjedhë e kalojë nëpër ne përmes shërbimit, duke bërë në mënyrë që të shkëlqejë drita e botës: Jezusi; në rast të kundërt do të mundësojmë vetëm shpërndarjen e errësirës.
Nëna e Hyjit qe teli më i bukur. Virgjëra Mari u bë vegël e Hyjit për realizimin e planit shëlbimprurës deri në fund, për mbarë njerëzimin, dhe përmes vetëmohimit pa asnjë kusht, ku qe mbushur me rrymën e hirit Hyjnor, ajo vrapoi menjëherë tek shtëpia e Elizabetës, që teli i rrymës së Jezusit të lidhet me Gjonin.
Ne sot me këtë kremtim eukaristik, duam të falënderojmë Hyjin e gjithë ata që në çfarëdo mënyrë na kanë përkrahur dhe janë lutur për ne.
Në rend të parë falënderojmë prindërit tanë (disa janë ende gjallë, disa tjerë në Amshim), falënderojmë vëllezërit, motrat e besimtarë tanë laikë.
Falënderojmë ipeshkvijtë, meshtarët e motrat rregulltare.
Falënderojmë çdo besimtarë të atyre vendeve ku kemi vepruar, të gjallë apo në amshim, ata që në çfarëdo mënyre kanë qenë pranë nesh e na ka përkrahur. Vetëm Hyji e di numrin e tyre e vetëm Hyji mund t’ua shpërblejë me të mira Hyjnore!
Falënderojmë të gjithë ata që janë gëzuar me ne, që i janë gëzuar sukseseve tona, por edhe më tepër ata që bashkë me na kanë nda pikëllimin e vështirësitë.
Në mënyrë të posaçme falënderojmë të gjithë ata që i janë lutur Zotit për ne, sepse pa lutjen e tyre me siguri se do ta kishim pasur më vështirë. Të gjithëve, Zoti ju ruajtë e ju bekoftë e ju shpërbleftë me të mirat e veta qiellore.

Shembulli më i mirë për meshtarët: Shën Gjoni Maria Vianej
Shembulli më i mirë për meshtarin është famullitari i shenjtë i Arsit. Ai ishte i dashuruar në Fjalën e Hyjit, ai ishte i dashuruar në kryq, ai ishte i dashuruar në Virgjërën Mari, ai ishte i dashuruar në thirrjen e tij pajtuese, ai ishte i dashuruar në lutje, ai ishte i dashuruar në eukaristi, ai ishte i dashuruar në shëlbimin e atyre të cilët Hyji ia kishte besuar. Shën Maria Virgjër, Nëna e Hyjit dhe Nëna jonë; shën Gjon Maria Vianej, Zoja e Bekuar Cërnagore, e Lumja Nënë Terezë, lutuni për ne. Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.