2013-07-09 13:49:22

DBR: Papa jep ndjesën e plotë. Imzot Nikiel: të rizbulohet Dashuria përdëllyese e Hyjit


Papa Françesku u jep ndjesën e plotë dhe të pjesshme të gjithë pjesëmarrësve në Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet më 22 deri më 28 korrik, në Rio-de-Zhanéjro të Brazilit. Pendestaria Apostolike botoi sot Dekretin përkatës. Ndjesa mund të fitohet me kushtet e zakonshme (pas Rrëfimit, Kungimit e lutjes sipas ndjeteve të Papës), edhe nga ata, që nuk mund të marrin pjesë drejtpërdrejt, në Rio, por janë shpirtërisht të pranishëm në kremtimet e DBR-së, të cilat i ndjekin me devocion përmes mjeteve të komunikimit. Për kuptimin e ndjesës së plotë, intervistuam imzot Kristof Nikiel, mëkëmbës i Pendestarisë:

Përgjigje: - Ati i Shenjtë Françesku u jep të rinjve të mbarë botës dhuratën e ndjesës, i shtyrë nga dëshira që Dita Botërore e Rinisë të jetë rast i përshtatshëm për të provuar madhështinë e bukurinë e Dashurisë e të Mëshirës së Hyjit. Papa uron që të rinjtë të shijojnë frytet e shenjtërimit të Ditës XXVIII Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Brazil, me temë: “Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt!” (Mt 28,19).

Pyetje: - Cilat janë kushtet që duhen plotësuar, për ta fituar ndjesën e plotë e në ç’drejtim ndryshon ndjesa e plotë, nga ajo e pjesshme?

Përgjigje: - Përsa u përket kushteve, gjëja e parë që duhet bërë është pendesa e plotë për mëkatet, për çdo lloj mëkati, mortar ose jo: pa këtë kusht, pa shkëputjen e plotë nga mëkati e pendesën e sinqertë, ndjesa nuk mund të jetë e plotë, por e pjesshme. Së dyti, është i nevojshëm Rrëfimi e Kungimi si dhe lutja sipas ndjeteve të Papës. Ndjesa mund të merret një herë në ditë (me përjashtim të rastit të ndonjë besimtari, që e merr rishtas në të njëjtën ditë, in articulo mortis, domethënë, në fill të mortjes). Ndjesa e plotë mund t’u kushtohet edhe shpirtrave të të vdekurve të dashur. Në rastin e DBR-së, ndjesa e plotë mund të fitohet më 22 deri më 29 korrik, duke marrë pjesë në ritet kishtare dhe në veprimtaritë e përshpirtshme, që do të kremtohen në Rio. Pa harruar, gjithnjë, domosdoshmërinë e kushteve themelore, besimtarët ftohen të marrin pjesë me devocion në një liturgji të kremtuar për të lypur nga Zoti fryte shpirtërore të begata për ditën e të rinjve, të thonë Atynën, Besojmën dhe një lutje drejtuar Zojës së Bekuar.











All the contents on this site are copyrighted ©.