2013-07-09 13:49:14

Atë Lombardi: ngjarje historike, Papa Françesku, i prekur thellë nga mikpritja


Ngjarje e pabesueshme, e ngarkuar me emocione, historike e domethënëse, vetëm në pak orë: kështu e përshkruan drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, gjatë një takimi të shkurtër me gazetarët, shtegtimin e Papës Françesku në Lampeduzë, në përfundim të vizitës.
Papa, shpjegoi, u prek thellë nga mikpritja e lampeduzanëve, të cilët i falënderoi me gjithë zemër dhe i ftoi të jenë gjithnjë shembull i mikpritjes dhe i përgjegjësisë për këta njerëz në vështirësi, që arrijnë të dërrmuar në brigjet e tyre, pranë shtëpive të tyre. Ky është, pa dyshim, mesazhi kryesor i këtij shtegtimi. Për Papën, shpjegoi atë Lombardi, kishte shumë rëndësi të kuptohej domethënia e kësaj vizite: gjest i rëndësishëm e kuptimplotë, siç tha në homeli, për të qarë të vdekurit, mbytur në valët e detit, përudhë drejt shpresës, drejt kushteve më të mira të jetesës. Gjest për t’u shprehur solidaritetin e inkurajimin të gjithë atyre, që impenjohen faktikisht për t’i mikpritur e për t’u krijuar mundësitë të nisin një jetë më të mirë. Gjest inkurajimi, shumë i fortë, edhe për ata, të cilët mund të krijojnë kushte më të mira, që kjo jetë e re, për këta njerëz kaq të vuajtur, të realizohet me të vërtetë.
Natyrisht, vijoi atë Lombardi, ishte ditë e madhe feste kristiane. Ditë për të rinuar ndërgjegjet. E nuk duhet harruar forca e liturgjisë, liturgji e pendesës dhe kthesës së zemrave, me mesazhe shumë të fuqishme për përgjegjësi. Unë, shpjegoi drejtori i Sallës vatikanse të Shtypit, mund të them tashmë, duke u nisur si nga jehona, ashtu edhe nga monitorazhi, se mesazhi u kuptua edhe në nivel ndërkombëtar, me gatishmëri të madhe e vëmendje të madhe. E kjo e kënaqi Papën: është kënaqësi e misionit të kryer me gjithë zemër, që arrin me sukses qëllimin për të prekur ndërgjegjet, për t’i rizgjuar ndërgjegjet e botës së sotme
Atë Lombardi, më pas, foli për Kishën e Agrixhentos, një Kishë, që luan me të vërtetë rol aktiv në impenjimin e strehimit të emigrantëve e të solidaritetit ndaj tyre.
Mund të flasim për një bilanc shumë pozitiv: shtegtim që, vetëm në katër orë, i dha botës një dëshmi të vërtetë, e cila shpresojmë se do të mbetet në kujtesë. Këtë shpreson edhe Papa. Por besoj, shtoi atë Lombardi, se nuk do të mungojnë rastet për t’i kujtuar këto çaste e për t’i çuar më tej me shenja të tjera jashtëzakonisht të forta. Atë Lombardi kujtoi edhe ndjenjën e gatishmërisë e të impenjimit në realizimin me sukses të kësaj dite, që u organizua brenda një jave, vetëm në pesë ditë. Prej këndej, aktivizimi me të gjitha forcat nga ana e detarëve, forcave të sigurimit, kryetarit të Bashkisë, vullnetarëve, Kishës... Të gjithë u mobilizuan që kjo ditë t’ia arrinte qëllimit. E Papa është jashtëzakonisht mirënjohës për këtë.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për fjalët me të cilat Papa kujtoi përgjegjësinë institucionale lidhur me dramën e emigracionit, atë Lombardi u përgjigj se Ati i Shenjtë “u flet gjithnjë të gjithëve, ndërgjegjes të të gjithëve, sipas përgjegjësive që ka secili”. Prej këndej, nuk përjashton askënd nga përgjegjësia. As veten, prandaj shpesh flet në vetë të parë, në këto raste. Flet edhe për përgjegjësitë e njerëzve të niveleve më të larta. E natyrisht, shtoi, kujtohen edhe ata, që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të ndikuar mbi vendimet me pasoja ekonomike, shoqërore, e politike me rreze të gjerë. Por nuk kemi të bëjmë në asnjë mënyrë me akuza të veçanta kundër ndokujt, sepse jemi para një thirrjeje për përgjegjësi, drejtuar absolutisht të gjithëve, duke nisur nga popullsitë, që mund t’i mikpresin e të ndihmojnë.
Së fundi, i pyetur për urimet, që Papa u bëri myslimanëve për fillimin e Ramazanit, atë Lombardi kujtoi se Papa njihet prej kohe për dialogun me të gjithë. Patëm, në këto muajt e parë, raste jashtëzakonisht domethënëse, si me ortodoksët, ashtu me anglikanët, e kështu me radhë. E edhe raste dialogu me botën hebraike, të cilën Papa e njeh shumë mirë, që kur ishte në Argjentinë, por edhe cekje e referime të qarta dialogu lidhur me botën myslimane. Ky ishte një rast i ri, i bukur, saktësoi atë Lombardi, për ta kujtuar këtë dialog, edhe duke pasur parasysh se shumë emigrantë vijnë nga vendet afrikane e janë myslimanë. Ramazani, vërejti, është çast jashtëzakonisht i rëndësishëm impenjimi, edhe shpirtëror, për krijimin e kushteve të zhvillimit të dialogut mbi këtë bazë, me karakter fetar: e këtë dialog kërkojmë ne, në favor të paqes e të vlerave, që ndihmojnë për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut. Prandaj, përfundoi atë Lombardi, m’u duk një referim shumë domethënës, duke pasur parasysh auditorin e vendeve, prej nga vijnë këta emigrantë.









All the contents on this site are copyrighted ©.