Më 8 korrik kujtojmë imzot Lazër Mjedjen në përvjetorin e vdekjes
Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 8 korrik shënojmë përvjetorin e
vdekjes së kryeipeshkvit shqiptar të Shkodrës imzot Lazër Mjedjes. Ipeshkvi
imzot Lazër Mjeda, lindi në Shkodër në një familje shumë të varfër, me 6 mars të vitit
1869, ndërsa vdiq më 8 korrik të vitit 1935. Imzot Lazër Mjedja kryeipeshkëv metropolit
i Shkodrës, ka qenë ipeshkëv edhe në dioqezën e Sapës, kryeipeshkëv i dioqezës së
Shkupit. Luftëtar i pathyeshëm për të drejtat e fesë, atdhetar i flakët e veprues
i panjollë, punëtor i vlefshëm i gjuhës e këshilltar dhe mbrojtës i shndritur, ndihmëtar
zemërgjerë i letërsisë kombëtare, themelues e kryetar i shoqnisë letrare “Agimi” dhe
i shoqnìs botuese Jeronyme. Me 6 gusht të vitit 1891 u shugurua meshtar në kapelën
e Seminarit Papnor të Shkodrës; shërbeu si famullitar në Plan, Pog e Mëgullë në Pult.
Bortoi vjersha që këndohen ende sot nga fshatarët vendas. Me 20 janar të vitit 1901
u shugurua ipeshkëv i Sapës dhe qe ndër ma të rinjtë nga mosha. Si ipeshkëv ndërtoi
shumë struktura kishtare si dhe krijoi e ndërtoi shkolla, si: në Dajç, ku mësoi për
do kohë vëllai i tij Dom Ndre Mjeda, i cili administronte atë famulli kishtare; pastaj
shkollën e Hajmelit të Iballës. Së bashku me të vëllain dom Ndreun krijoi Shoqninë
Letrare "Agimi" e cila botoi tekstet shkollore të asaj kohe. Më 1905 qe emëruar si
ndihmës i ipeshkvit Imzot Guerinit dhe si i tillë rrethoi me mure e parmakë hekurit
oborrin e Katedrales dhe ndërtoi rreshtin e dyqaneve në pjesën jugperëndimore të oborrit,
si dhe plotësoi kullën e kishës. Gjatë kësaj periudhe shoqnitë letrare janë në
lulëzim të plotë. Më 1909 qe emërua Arqipeshkëv i Shkupit ku hapi shumë shkolla nëpër
fshatra dhe punoi për lulëzimin e fesë e të kulturës në atë krahinë; ngriti struktura
kishtare e i pasuroi, si dhe zbukuroi Kishën Katedrale të Prizrenit të Zojës Ndihmëtare.
Në Shkup ndërtoi selinë arqipeshkvnore dhe shtëpinë e Kishës famullitare. Më 1922
erdhi Arqipeshkëv i Shkodrës ku u vu menjëherë në punë për të përmirësuar dhe pasuruar
Kishën e shtëpitë famullitare dhe nisi ndërtimin e kishës së Rusit. Stolisi kapelën
e Arqipeshkvisë, në formë artistike, nën drejtimin e artistit Kolë Idromeno, i cili
me duart e veta goditi Elterin. Themeloi Fletoren e Klerit Katolik dhe Fletoren
e së dielës, botoi librin "Rruga e Shelbimit" dhe me 19 mars1923 bekoi kambanat e
reja të Kishës Katedrale. Me 4 gusht 1929 shuguroi ipeshkëv Imzot Pjetër Gjurën Arqipeshkëv
të Durrësit dhe Imzot Frano Gjinin ipeshkëv Abat të Mirditës në shtator të vitit 1930.
Të dielën më 7 korrik kur nëpër Kishat e maleve e të katundeve të Shqipërisë
jehonte kënga monotone për nga melodia, por plot dalldi e burrëri për nga shprehja
e fjalëve: “Un prej Zotit jam i kështenë”, hartuesi i saj, imzot Lazer Mjedja, metropolit
i Shkodrës, kryeipeshkëv i drejtë dhe i parimeve të ngurta, njeri i çmuar dhe i dashur
- i kundërshtuar dhe i respektuar, fillonte fazën e mbrame të jetës tokësore, hynte
në agoni e të nesërmen më 8 korrik të vitit 1935 në ora 17.20 të, shpirti i tij i
bardhë shkëputej ëmbël e fluturonte ndër krahë të Krijuesit të vet. e funerali i imzot
Lazër Mjedjes qe ndër ma madhështorët që iu banë arqipeshkvijve katolikë në Shkodër
e Shqipëri. Me 1926 pati kremtuar 25- vjetorin e ipeshkvisë. Don Lazër Shantoja
shkruante në revistën ‘Leka’ të vitit 1935 se nga imzot Mdjedja “Ka metë vetëm shembulli
i madh qi na ka dhanë e shembujt e mëdhaj nuk janë dhanë kurr kot! Nji bari shenjt
ka dekë. T’a nderojmë. Nji atdhetàr i pastër ka dekë. T’a ndjekim. Nji burrë
ka dekë. T’a qajmë. Emzot, pse na lae?”.