2013-07-08 17:39:07

Haxhi Semin Muça uron besimtarët mysliman për muajin e Ramazanit


Prej ditës së nesërme nis Muaji i Ramazanit. Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça, ka uruar sot besimtarët për muajin më të rëndësishëm të Islamit.
"Ramazani, është një kohë kur besimtarët së bashku me agjërimin që i jep kuptimin esencial këtij muaji, rinovojnë devotshmërinë ndaj Zotit, rizgjojnë edhe një herë fuqishëm mëshirën, dashurinë dhe përkrahjen ndaj njerëzve. Ramazani është një kohë e bekuar, ku besimtarët reflektojnë edhe një herë mbi mendimet dhe sjelljet e tyre, duke e kthyer dëgjimin më shumë se kurrë tek zëri i ndërgjegjes dhe melodia e zemrës".
Haxhi Selim Muça, i fton të gjithë besimtarët në lutje, "Shoqëria jonë sot ka nevojë për drejtësi, duke agjëruar ne bëhemi më të drejtë. Të afërmit dhe fqinjët tanë sot kanë nevojë për përkrahje, duke agjëruar ne bëhemi më të ndjeshëm ndaj halleve dhe nevojave të tyre. Ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërueshëm është momenti më i volitshëm t'i kërkojmë Zotit falje."
Kryetari i Komunitetit Mysliman në urimin e tij u shpreh se, "Edhe për ne shqiptarët, Ramazani është i mirëseardhur. Ai na ofron durim në këtë stinë të nxehtë, prehje shpirtërore, qëndrueshmëri, drejtësi, barazi e marrëdhënie të mira të mbështetura në parime hyjnore. Së fundi i lutem Zotit, që ky muaj të sjellë në familjen e çdo shqiptari paqe, qetësi dhe harmoni. Zoti Fuqiplotë e begatoftë popullin, vendin dhe kombin tonë. Paçi mirësi e begati dhe Zoti jua pranoftë agjërimin, adhurimet dhe lutjet tuaja".
Sipas kalendarit të komunitetit Mysliman Shqiptar, ora 03:06' shënon syfyrin e parë të muajit më festiv për çdo mysliman.
Çdo besimtarë mysliman, sipas fesë islame, është i detyruar të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfrit si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët. Pas 30 ditëve agjërim, myslimanët festojnë Bajramin e Madh.
Fillimi i Muajit të Ramazanit, përcaktohet sipas kalendarit hënor. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.