2013-07-08 17:22:16

Dom Gjergj Meta: Një Qarkore dhe dy shenjtër


Në këto ditë Papa Françesku përmbushi triptikun e nisur nga Papa Benedikti XVI duke publikuar Letrën e tij të parë Qarkore (ndër dokumentet më të rëndësishme që shkruan një Papë) me titull Lumen Fidei. Njëkohësisht dje ai, me anë të një dekreti, i hapi rrugë shpalljes shenjtër të disa të lumëve, ndër të cilët edhe dy papë: Gjoni XXIII (Angelo Roncalli) dhe Gjon Pali II (Karol Wojtila).
Publikimi i kësaj letre qarkore mbi fenë ndodh në dy momente kontekstuale të rëndësishme. Së pari është brenda Vitit të Fesë, të shpallur nga paraardhësi i tij, Benedikti XVI dhe së dyti, është një vepër me katër duar, pasi është nisur nga Papa Benedikti dhe e ka përfunduar Papa Françesku. Shpallja e një viti të fesë nga ana e Benediktit XVI pati si qëllim kryesisht të konstatonte se besimi në kohët tona ka nevojë për një rithemelim e një rithellim. Nuk mund të mohohet se nga shumë anë, sidomos nga Europa, vijnë sinjale të një mplakjeje të besimit ose së paku të një zbehjeje të tij. Por gjithashtu në vende të tjera, sidomos në ato me popullsi gjithnjë në rritje, besimi po njeh momente lulëzimi të pashoq. Kjo qarkore e Papës Françesku përplotëson rrugëtimin e Benediktit, i cili kishte shkruar dy të tilla, kushtuar virtyteve teologale të dashurisë (Des Caritas est) dhe shpresës (Spe salvi).
Vetë titulli i enciklikës na sugjeron disa reflektime për aq sa na lejojnë këto rreshta gazete. Feja është parë si dritë, një dritë që vjen nga lart dhe e cila ndriçon krejt ekzistencën njerëzore, në të gjitha aspektet e saj, duke i dhënë kështu asaj një kuptim. Besimi nuk është atëherë një kredhje në errësirë, por përkundrazi është një kredhje në dritë. Vetëm besimi në Zotin është i aftë t’i japë dritën e duhur ekzistencës duke e lidhur atë me diçka të përtejme që i jep asaj qëndrueshmëri. Kapitull pas kapitulli (janë gjithsej katër kapituj) Papa na dorëzon një përshkrim të fesë, por mbi të gjitha një dëshmi të besimit. Ai, besimi, vjen nga dëgjimi i Fjalës së Hyjit, çka do të thotë se njeriu i paaftë për të dëgjuar e ka të vështirë të pranojë dhuratën e fesë. Kjo kërkon një dalje nga “uni” e hapje ndaj të përtejmes, ndaj Tjetrit. Në këtë ndërmarrje njeriu duhet të jetë i gatshëm të humbë nga vetvetja. Pikërisht kjo lidhje me Hyjin e bën njeriun më të qëndrueshëm duke e larguar nga idhujt që rëndom prekin jetën e tij.
Një pikë kulmore e kësaj Qarkoreje është lidhja e pandashme ndërmjet të vërtetës dhe besimit në kapitullin e dytë. “Besimi pa të vërtetë nuk shëlbon – thotë Papa – mbetet (vetëm) një përrallë, një projeksion i dëshirave tona të lumturisë”. Pikërisht sot më shumë se çdo gjë tjetër ndoshta vuajmë krizën e të vërtetës, të një të vërtete e cila është e tillë në vetvete dhe nuk rrudhet e tëra në kufijtë e perceptimeve dhe përjetimeve tona individuale. Në mënyrë të veçantë aspekti teknik i të vërtetës (është e vërtetë vetëm ajo çka funksionon) është një nga trajtat e qasjes ndaj të vërtetës në kohën tonë. Këtu po i lejoj vetes të bëj një analizë të rrufeshme të situatës sonë në Shqipëri, në mënyrë të veçantë të raportit me të vërtetën. Regjimi komunist në raport me të vërtetën vendosi besimin absolut në të vërtetën e servirur nga Partia. Ajo pra, ideologjia partiake, ishte e vërteta, jo vetëm e besimit, por edhe e shkencës. As shkenca në vetvete nuk ishte e vërteta, por vetëm ajo shkencë që thoshte Partia. Të lidhur fort mbas një të vërtete që na serviret nga lart, por që nuk kërkohet, raporti ynë me të vërtetën në Shqipëri është peng ende i konceptimit të saj si e ardhur nga një institucion politik. Një shembull janë në vitet e fundit ndërhyrjet nganjëherë në të vërtetat e rishikimit të historisë apo në trajtimin e saj me lupat e ideologjisë komuniste nga shumë autorë nostalgjikë të atij sistemi. Madje e vërteta shkonte deri aty sa të manipulohej në një mënyrë të tillë që të devijohej krejtësisht me rezultatin konkret të burgosjes së njerëzve duke u mveshur atyre të vërteta të pavërteta, thjesht gënjeshtra. Kjo ka krijuar një klimë mosbesimi total ndërmjet njerëzve dhe ka dëmtuar rëndë besimin e njerëzve te njëri-tjetri e te Zoti. E vërteta nuk ishte e vërtetë, madje ajo kthehej në arrogancë pushteti. Në të kundërt “besimtari nuk është arrogant – thotë Papa Bergoglio. E vërteta na bën të përvujtë dhe na çon drejt bashkëjetesës dhe respektit ndaj tjetrit”. Ndryshimi i kësaj mendësie është vështirësisht i realizueshëm në kohë të shkurtër e kërkon një punë të madhe nga ana e të gjithë atyre që janë të angazhuar në fushën e besimit dhe të formimit të ndërgjegjeve në raport me të vërtetën.
Në dy kapituj që vijojnë, i treti dhe i katërti, Papa thotë se nuk mund të mbahet për vete dhurata e besimit, ajo është për t’u dhënë. Atë që ke marrë nuk mund ta mbash, por duhet ta japësh. Prej këtu lind nevoja e ungjillëzimit, e përçimit të besimit, një detyrë e vazhdueshme dhe thelbësore e Kishës dhe e çdo njeriu që pranon besimin e krishterë. Në kapitullin e pestë Papa e shikon besimin të lidhur ngushtë me qytetin, apo të mirën e përbashkët. Ky besim, që vjen nga Dashuria e Zotit dhe pikërisht “…falë lidhjes së tij me dashurinë (krh Gal 5,6)… vihet në shërbimin konkret të drejtësisë, të së drejtës dhe të paqes” (LF 51). Një besim që nuk ka përmasën konkrete të angazhimit në realitetin social humb konkretësinë e tij dhe bëhet një besim i pabesueshëm. Tema sikurse familja, martesa burrë-grua, ekologjia dhe zhvillimi i popujve të prapambetur janë të lidhura ngushtë me besimin e gjejnë një vend të privilegjuar në kapitullin përmbyllës të kësaj Qarkoreje.
Së fundi i rikthehem edhe njëherë titullit të këtij shkrimi: një qarkore dhe dy shenjtër. “Rastësia” e përkimit të shpalljes shenjtër të dy personave si Gjoni XXIII dhe Gjon Pali II me daljen e Lumen Fidei, na tregon pikërisht brenda logjikës së kësaj qarkoreje kremtimin e dy gjigantëve të besimit. I pari, Gjoni XXIII, me guximin dhe besimin e tij dëshmoi se Kisha duhet të ketë guxim të kridhet në dritën e besimit dhe të reformohet e prandaj shpalli Koncilin II Vatikan. I dyti, Gjon Pali II, e çoi dritën e besimit në skajet e tokës, hapi Kishën ndaj botës dhe kontribuoi në rënien e regjimeve diktatoriale komuniste të Lindjes. Dëshmia e tyre është feja përtej fjalëve, besimi i jetuar! Nga dom Gjergj Meta







All the contents on this site are copyrighted ©.