2013-07-05 13:58:09

Papa në Meshën e sotme: mëshira, zemra e mesazhit të Hyjit


Zemra e mesazhit të Hyjit është mëshira: këtë pohoi Papa Françesku në Meshën e sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke komentuar Ungjillin e thirrjes së Mateut. I pranishëm, një grup nëpunësish të Governatoratit. Me Papën bashkëkremtoi kardinali Horhe Liberato Urosa Savino, kryeipeshkëv i Karakasit, në ditën kur Venezuela kremton festën kombëtare.

Mëshirë dua, jo fli: Papa përsëriti fjalët, që u tha Jezusi farizenjve, të cilët e qortonin Zotin, sepse hante me mëkatarë. E publikanët, shpjegoi, ishin dyfish mëkatarë: tepër të lidhur me paranë, e edhe tradhtarë të atdheut, sepse rripnin popullin e vet, duke mbledhur taksa për pushtuesit romakë. Jezusi e sheh Mateun, publikanin, e ia ngul sytë plot me mëshirë:
E këtë njeri, të ulur në bankën e taksave, Jezusi e shikon, e ai ndjen në shpirt diçka të re, një ndjesi krejt të panjohur. Jezusi ia ngul sytë e ai mrekullohet, ndjen ftesën e Zotit: ‘Më ndiq! Më ndiq!’. Në këtë çast zemra e tij rreh me një gëzim të paprovuar ndonjëherë, ndonëse dyshon paksa, sepse tepër i dhënë pas parasë. Mjafton një çast i vetëm, të cilin ne e shikojmë të realizuar mrekullisht mirë në veprën e Karavaxhos, e ky njeri, që shikonte me sy, nësa me duar merrte paratë; që ky njeri të thotë ‘po’, të lërë gjithçka e të shkojë me Zotin. Është çasti i mëshirës: i jepet, e ai e merr e përgjigjet: “Po vij me ty!””. Është çasti i parë i takimit, një përvojë tejet e thellë shpirtërore”.
Vjen, pastaj, çasti i dytë: festa - Zoti feston në mes të mëkatarëve: feston mëshirën e Hyjit, që e shndërron jetën. Pas këtyre dy çasteve, mrekullimit të takimit e festës, vjen puna e përditshme, kumtimi i Ungjillit:
Kjo punë duhet ushqyer me kujtesën e takimit të parë e të festës. E nuk është çast, por kohë: deri në fund të fundit të jetës. Kujtesë. Kujtesë e kujt? E këtyre fakteve! E këtij takimi me Jezusin, që ma ndryshoi jetën! Që pati mëshirë për mua! Që ishte tepër i mirë me mua e më tha edhe: “Ftoi miqtë e tu mëkatarë të mblidhemi e të bëjmë festë!”. Kjo kujtesë i jep forcë Mateut dhe të gjithë atyre që e rrethojnë për të shkuar përpara. ‘Zoti ma ndryshoi krejt jetën! Takova Zotin!’. Mos e harroni kurrë... Është si t’i frysh prushit të kësaj kujtese, apo jo? T’i frysh, që zjarri të mos shuhet, por të mbetet gjithnjë i ndezur”.
Në shembëlltyrat ungjillore flitet edhe për njerëz, që nuk pranojnë të marrin pjesë në festën e Zotit. E Jezusi shkon të kërkojë të varfërit, të sëmurët, të braktisurit e bën festë me ta:
Jezusi, duke e vijuar këtë zakon, bën festë me mëkatarët e u jep hirin e Tij. ‘Mëshirë dua, jo fli. Nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët’. Kush beson se është i drejtë, të fërgohet në vaj të vet. Ai erdhi për ne, mëkatarët, e kjo është tejet e bukur; ta lëmë të na shikojë me mëshirë, të bëjmë festë e të mos e harrojmë kurrë ditën kur u shëlbuam”.








All the contents on this site are copyrighted ©.