2013-07-05 14:32:26

Në Romë, seminaristët, novicët e novicet nga e gjithë bota, që të dielën do të takohen me Papën


Filloi dje në Romë, shtegtimi i seminaristëve, novicëve dhe noviceve, organizuar nga Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e Ri me rastin e Vitit të Fesë. “Besoj në Ty” është tema e katër ditëve në Qytetin e Amshuar, ku kanë mbushur udhët rreth 6 mijë të rinj, të cilët nesër do të takohen me Papën Françesku e të dielën do të marrin pjesë në meshën e kremtuar prej tij në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Po të dielën, do të jenë të pranishëm në kremtim edhe 1500 të rinjtë romakë, që do të nisen për në Ditën Botërore të Rinisë, e cila këtë vit kremtohet në Brazil, nga data 23 deri më 28 korrik.
Daniel Ienciu, 30 vjeç, seminarist rumun i dioqezës zvicerane të Luganos, shpjegon në mikrofonin tonë ç’do të thotë të jesh meshtar në botën e sotme:
Sigurisht, do të thotë të jesh zëri, zemra, duart e Krishtit, në një botë, që siç e dimë mirë, po përballon shumë sfida. Papa Françesku na kërkon të jemi si një atë familjeje, pra të ushtrojmë atë atësi, që është e shkruar në zemrën e çdo njeriu. Kjo atësi baritore e shpirtërore do të thotë t’u japësh jetë atyre, që vuajnë e, dritë atyre, që nuk shohin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.