2013-07-05 13:58:26

Kardinali Sherer: bilanci i Selisë së Shenjtë përmirësohet, por duhet reformuar administrata


Siç ju kemi njoftuar, të mërkurën, përfundoi në Vatikan mbledhja dy-ditore e Këshillit të Kardinajve për Studimin e Problemeve organizative dhe ekonomike të Selisë së Shenjtë, kryesuar nga sekretari i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone. Bilanci i vitit 2012 regjistron të ardhura për 2.185.622 euro. Për këtë mbledhje, ftuam në mikrofonin tonë, kardinali Odilo Pedro Sherer, kryeipeshkëv metropolit i Brazilit, anëtar i Këshillit në fjalë. Ta dëgjojmë:
Raporti tregoi se gjendja ka ndryshuar: gjatë viteve të kaluara kemi regjistruar gjithnjë humbje, ndërsa kësaj radhe situata është përmirësuar disi. Megjithatë, vazhdon të ndihet nevoja e ristrukturimit të administratës së Selisë së Shenjtë, pasi burimet financiare nuk janë të shumta e sidomos, nuk mund t’i dimë që më parë. Varemi nga vullneti i mirë e nga bujaria e besimtarëve. Natyrisht, ka edhe të ardhura të parashikueshme, si ato të qerave, të Muzeve të Vatikanit, që falë Zotit, frekuentohen nga shumë vizitorë. Nga ana tjetër, kemi më tepër nevojë t’i orientojmë më drejt fondet në dispozicion, që t’i shërbejnë së mirës së Kishës, të jetës dhe të misionit të saj. Selia e Shenjtë nuk grumbullon pasuri: të ardhurat e Selisë së Shenjtë shërbejnë për misionin e saj, të Kishës, të Atit të Shenjtë. Por duhet të them se pavarësisht se mund të përmirësohen shumë gjëra, ç’dëgjuam në mbledhje, është pozitive.
Radio Vatikani bën pjesë në bilancin e Selisë së Shenjtë e ka një kosto jo të vogël. Cili është qëndrimi ndaj saj?
Sigurisht, Radio Vatikani bën pjesë në bilancin e Selisë së Shenjtë e shpenzimet për të nuk mund të mos merren parasysh. Nga ana tjetër, Radio Vatikani i shërben misionit të Kishës, sidomos përhap në botë zërin e Atit të Shenjtë, zërin e Kishës, edhe aty ku, përndryshe, nuk do të arrinte: në vende të largëta, në vende akoma të mbyllura, që nuk e lënë të kalojë lehtë zërin e Kishës në kulturën e tyre. Prandaj, Radio Vatikani ka akoma një rol shumë të rëndësishëm. Ndoshta sot duhet ta quajmë Qendër Multimediale, sepse e dimë se përdor lloje të ndryshme mjetesh komunikimi. Kjo e bën atë më të frytshme, por sjell edhe një kosto jo të pakët, që në një farë mënyre, duhet përfshirë në bilancin e Selisë së Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.