2013-07-04 13:07:09

Papa Françesku: jemi bij të Hyjit, askush nuk mund të na e rrëmbejë këtë kartë identiteti


“Ne jemi bij të Hyjit, për virtyt të Jezusit. Askush nuk mund të na e rrëmbejë këtë kartë identiteti”: kështu u shpreh Papa Françesku gjatë Meshës së sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Bashkëkremtoi me Papën, kardinali indian Telesfor Plaçidus Topo, kryeipeshkëv i Rankit.

Në qendër të homelisë së Papës, Ungjilli i shërimit të paralitikut. Jezusi së pari i thotë. “Zemër, bir, të janë falur mëkatet”. Ndoshta, pohoi Papa Françesku, ky njeri mbeti paksa i pakënaqur, sepse dëshironte të shërohej fizikisht. Pastaj, përballë kritikave të skribëve, që e padisnin se po blasfemonte, ‘sepse vetëm Hyji mund t’i falë mëkatet’, Jezusi e shëroi edhe në korp. Në të vërtetë, shpjegoi Papa, shërimet, mësimet, fjalët e forta kundër hipokrizisë, ishin vetëm një shenjë. Shenja tregonte se Jezusi do të bënte diçka më shumë, diçka të paparë e të padëgjuar: do të falte mëkatet. Në Jezusin bota pajtohet me Hyjin, e kjo është edhe mrekullia më e madhe:
Ky pajtim është rikrijim i botës: e ky është misioni më i thellë i Jezusit. Shpërblimi i të gjithë mëkatarëve. E këtë Jezusi nuk e bën me fjalë, as me gjeste e as duke ecur në rrugë, jo! E bën me korpin e vet! Është pikërisht Ai, Hyji, që bëhet një nga ne, njeri, për të na shëruar shpirtrat ne, mëkatarëve”.
Jezusi na çliron nga mëkati, duke u bërë ai vetë ‘mëkat’, duke marrë mbi vete ‘gjithë mëkatin’ e ky, nënvizoi Papa, është krijimi i ri. Jezusi zbret nga lumnia e ulet poshtë e më poshtë, ulet deri në vdekje, në vdekjen mbi Kryq, deri në britmën më tragjike, që është shkëputur ndonjëherë nga kraharori njerëzor: ‘Atë, pse më lëshove dore?!’. Kjo është lavdia e Tij e shpëtimi ynë:
“Kjo është mrekullia më e madhe. E me këtë, çfarë bën Jezusi? Na bën bij, me lirinë e bijve. Falë kësaj, që bëri Jezusi, ne mund të themi: ‘Atë’. Nëse nuk do ta kishte bërë, atë që bëri, nuk do të kishim mundur kurrë ta shqiptonim këtë fjalë: ‘Atë’! Të thuash ‘Atë’, ta thuash mirë e bukur, me liri! Kjo është mrekullia e madhe e Jezusit. Ne, skllevërit e mëkatit, na bëri të gjithë të lirë, na shëroi deri në fund të fundit të jetës sonë. Na bën mirë ta mendojmë këtë e të mendojmë edhe se është gjë tepër e bukur të jesh bir, tejet e bukur të kesh lirinë e bijve, sepse biri është në shtëpi, e Jezusi na hapi portat e shtëpisë... ne tashti jemi në shtëpi!”.
Tani, përfundoi Papa, kuptohen edhe fjalët, që Jezusi ia tha paralitikut: “Zemër, bir, të janë falur mëkatet”:
Kjo është rrënja e guximit tonë. Jam i lirë, jam bir... Më do Ati e unë e dua Atin! T’ia lypim Zotit hirin për ta kuptuar mirë këtë vepër të tij, këtë që bëri Hyji në Krishtin: Hyji u pajtua me botën në Krishtin, duke na besuar ne fjalën e pajtimit e hirin ta çojmë përpara me forcë, me lirinë e bijve, këtë fjalë pajtimi. Ne u shpëtuam në Jezu Krishtin! E askush nuk mund të na e rrëmbejë këtë kartë identiteti. Më quajnë kështu: bir i Hyjit! Ç’kartë e bukur identiteti! Gjendja civile: i lirë! E ashtu qoftë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.