2013-07-04 14:39:08

Enriko Leta takohet me Papën: në qendër të bisedimeve, punësimi i të rinjve dhe roli i familjeve e i Kishës


Sot paradite, Ati i Shenjtë Françesku priti në vizitë private, kryeministrin e Republikës së Italisë, Enriko Leta. Pas audiencës me Papën, kryeministri Leta u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone, që shoqërohej nga imzot Dominik Mambertì, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.
“Gjatë bisedimeve të përzemërta, njofton një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit, të dyja palët u ndalën posaçërisht tek gjendja shoqërore dhe përpjekjet, që po bëjnë qytetarët dhe institucionet e Italisë e të BE-së, kryesisht për marrjen e masave, që të krijojnë e të mbrojnë punën, sidomos për të rinjtë. U fol, në vijim edhe për ndihmën që po japin familjet italiane dhe institucionet e Kishës për sigurimin e stabilitetit të vendit.
U prekën edhe disa tema të politikës ndërkombëtare, duke i kushtuar vëmendje të veçantë evolucionit të kontekstit civil e institucional të vendeve të Mesdheut e të Lindjes së Mesme.
Të dyja palët pohuan, në përfundim, se do të vijojnë bashkëpunimin për progresin e Kombit italian e për të mirën e bashkësisë ndërkombëtare”.









All the contents on this site are copyrighted ©.