Adli Mansur është presidenti i përkohshëm i Egjiptit, pas puçit, që rrëzoi kreun e
Vëllezërve Myslimanë
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese egjiptiane, gjykatësi Adli Mansur u betua sot si president
i ri i Egjiptit. Ky është rezultati i parë i puçit të djeshëm, që e çoi presidentin
e mëparshëm Mohamed Morsi në arrest shtëpiak, pezulloi Kushtetutën dhe hapi udhën
për zgjedhje të parakohshme. Adli Mansur u betua edhe si kryetar i Gjykatës Kushtetuese,
detyrë, në të cilën, për ironi të fatit, e kishte caktuar përkohësisht pikërisht Morsi.
67 vjeç, baba i tre fëmijëve, presidenti i ri ka studiuar në institutin prestigjoz
francez “Ecole Nationale d’Administration” e ka qenë funksionar edhe në regjimin e
Mubarakut. Ndërkaq, bilanci i ndeshjeve të djeshme flet për së paku dhjetë viktima
e bashkësia ndërkombëtare shikon me shqetësim e dyshim si zhvillohen ngjarjet. Imami
i madh i Al-Azharit, Papa i koptëve, Tauadros II dhe zëdhënësi i opozitës, Mohamed
El-Baradei janë ngarkuar të mblidhen për të gjetur udhën e daljes nga kriza, një lloj
“roadmap”, ku të përfshihen edhe të rinjtë kryengritës të lëvizjes “Tamarrod”. Kjo
rrugë mund të parashikojë një periudhë tranzicioni, që do të ndiqet nga zgjedhjet
presidenciale e legjislative dhe nga formimi i një qeverie teknike. Pas lajmit për
“road map”, u vu zhurmues në sinjalin e disa rrjeteve televizive të Vëllezërve Myslimanë
dhe të dy emitenteve salafite. Forcat e sigurisë arrestuan personelin e rrjetit të
Katarit, al-Zhazira. Është lëshuar edhe një mandat-arresti për kryetarin dhe zëvendësin
e partisë së Vëllezërve Myslimanë. Si duhen interpretuar ngjarjet e fundit? Pyetëm
pedagogun e Islamit bashkohor në Universitetin italian të Trentos, Masimo Kampanini: Shkruhet
një faqe e shëmtuar në historinë e Egjiptit. Pavarësisht se opozita në sheshe ka deklaruar
se ndërhyrja ushtarake interpreton vullnetin e popullit, mendoj se largimi i presidentit
nga ana e ushtrisë është puç, pasi Morsi është zgjedhur me rrugë demokratike. Mund
të mos na pëlqejë, por këto janë rregullat e demokracisë. E ushtarakët vështirë se
mund të paraqesin kredenciale demokratike: ndërhyrja e tyre mbetet autoritare e shqetësuese.
Ekziston rreziku që Vëllezërit Myslimanë të mos qëndrojnë duarkryq, por mendoj se
nuk do të arrijnë deri në luftë civile.