2013-07-03 14:53:52

Shtëpia Botëuese e Vatikanit boton “I want you”, libër që i përgatit të rinjtë për DBR-në e Brazilit


“I want you (Dua ty) – Thirrja dhe misioni, aventura e të dymbëdhjetëve vazhdon”: ky është titulli i librit, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, për t’i përgatitur të rinjtë për Ditën Botërore të Rinisë, që do të mbahet në Rio-de-Zhanejro të Brazilit nga 23 deri më 28 korrik. Në vëllimin e shkruar nga italiania Maria Roza Poxho u thuhet të rinjve se misioni i Apostujve të Krishtit nuk ka përfunduar, por vazhdon me një aventurë të re. Ngjyrat e librit - e verdha, jeshilja dhe bluja – të kujtojnë ngjyrat e flamurit brazilian. Por të dëgjojmë vetë autoren në mikrofonin tonë:
Mendova ta organizoj këtë punë në mënyrë që të gjithë të rinjtë – nga 16 deri në 25 vjeç – të gjejnë diçka, që mund ta përdorin. Teksti është ndarë në seksione, me nivele të ndryshme, të cilat kërkojnë mënyra të ndryshme studimi e thellimi. Përshkruhen personazhet, konteksti historik e ka edhe pyetje, që u japin mundësinë të rinjve të mendojnë, të pyesin prindërit, të debatojnë me miqtë. Libri mund të lexohet edhe në familje e mund të zgjidhet pjesa më e përshtatshme për atë ditë, ose për atë rrethanë. Kështu prindërit punojnë me fëmijët e anasjelltas.
“I want you” (Dua ty) është edhe mjet për të kuptuar si mund të jemi apostuj në Mijëvjeçarin e Tretë…
Po, apostuj të Mijëvjeçarit të Tretë, sepse sot supozojmë gabimisht se kumtimin e Ungjillit të Krishtit duhet ta bëjë ndokush tjetër, duhet ta bëjnë të rriturit, meshtarët, murgeshat, ndokush që ka detyra të rëndësishme. Por, i krishteri – çdo i krishterë – është ai, që thirret për t’i mësuar të tjerët, për t’u bërë lajmëtar i Ungjillit aty ku jeton. Kjo është detyrë për të gjithë, por sidomos për të rinjtë. Ja pseja e titullit – dua ty, pikërisht ty e jo ndonjë tjetër – e kjo për të reflektuar mbi ftesën, që Jezusi i bën secilit, duke e veshur me përgjegjësinë e Ungjillit, që duhet kumtuar, për të shmangur shndërrimin e krishterimit në një mesazh të vagëllt moral, siç është bërë zakon nganjëherë. Të rinjtë duhet ta ndjejnë se janë të thirrur një për një.








All the contents on this site are copyrighted ©.