2013-07-03 14:51:51

Papa në festën e Shën Tomës: Hyji takohet duke puthur plagët e Jezusit


Për të takuar Hyjin e gjallë, duhet të puthim me dashuri të pamasë plagët e Jezusit në vëllezërit tanë të uritur, të varfër, të sëmurë, të burgosur: këtë theksoi sot paradite Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, duke komentuar Ungjillin e festës së Shën Tomës Apostull. Të pranishëm, meshtarë e bashkëpunëtorë të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kryesuar nga kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i dikasterit.
Kujtojmë se sot nuk u mbajt takimi i zakonshëm i Papës me besimtarët. Audiencat e përgjithshme të së mërkurës do të rifillojnë rregullisht nga e mërkura, 4 shtator. Ndërsa Ati i Shenjtë do të vijojë t’i prijë lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot në Vatikan.

Mbas ngjalljes, Jezusi iu duk apostujve, por Toma nuk ndodhej aty. E Zoti deshi që ai të priste një javë, shpjegoi Papa Françesku. Zoti i di mirë punët e veta. E i jep secilit nga ne kohën, që atij i duket më e arsyeshme. Tomës i dha një javë kohë. E pas një jave, u riduk me plagët e veta. Korpi i tij ishte krejt i pastër, mrekullisht i bukur, plot dritë. Kështu e përshkroi Papa Zotin në atë ças, por plagët, shtoi, ishin aty, e janë akoma. E kur Zoti do të vijë në mbarim të kohëve, do të na i tregojë plagët e veta, e edhe ne do t’i shikojmë, si Toma. Si apostulli, që nuk besonte aq lehtë. Donte t’i prekte me gisht plagët e Zotit:
“Ishte kryeneç. Po Zoti deshi pikërisht një njeri kokëfortë, për të na bërë të kuptojmë një gjë më të madhe. Toma e pa Zotin, e Ai e ftoi t’i prekte me gisht plagët e gozhdave e të vinte dorën në plagën e kraharorit. Apostulli i vuri, por nuk tha: ‘Është e vërtetë, Zotit u ngjall!’. Jo! Shkoi edhe më përtej. Tha: ‘Hyji im!’. Duke u bërë kështu i pari apostull, që dëshmonte hyjninë e Krishtit, pas Ngjalljes. Tha kështu, dhe e adhuroi”.
E kështu, vijoi Papa, kuptohet edhe cili ishte ndjeti i Zotit, që e bëri të priste: ta përdorte mosbesimin e tij jo për të pohuar ngjalljen, por natyrën e Tij hyjnore. Udha për takimin me Jezusin-Zot, nënvizoi Papa, janët plagët e Tij. S’ka asnjë rrugë tjetër:
“Në historinë e Kishës nuk munguan gabimet në përpjekjen për të gjetur udhën drejt Zotit. Disa besuan se Hyjin e gjallë, Hyjin e të krishterëve, nuk mund ta gjejmë përmes udhës së meditimit e se duhet shkuar më lart sesa meditimi. Kjo është e rrezikshme, eh? Sa humbasin në këtë udhë e nuk e arrijnë kurrë cakun! Arrijnë, sigurisht, në njohjen e Hyjit, po jo të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit, Vetjes së tretë të Trinisë. Tek Krishti nuk arrijnë. E kjo është udha e gnostikëve, apo jo? Njerëz të mirë, që punojnë, por që nuk janë në rrugë të drejtë. Rruga e tyre është tejet e ndërlikuar e nuk të çon në limanin e mirë”.
Të tjerë, shpjegoi Papa, menduan se për të arritur tek Zoti, njeriu duhet ta mundojë veten, të jetë i përkorë. Zgjodhën, prandaj, rrugën e pendesës: vetëm pendesë e agjërim. E as këta nuk arritën tek Hyji i gjallë, Jezu Krishti. Janë pelagjianët, që besojnë se mund të arrihet tek Zoti vetëm me përpjekjet vetjake. Po Jezusi na kujton se udha, që duhet bërë për ta takuar, është ajo e plagëve të tij:
E plagët e Jezusit ti i gjen duke bërë vepra mëshire, duke iu kushtuar korpit - korpit- e edhe shpirtit, po kryesisht korpit – e nënvizoj, të vëllait tënd të plagosur, sepse ka uri, sepse ka etje, sepse është i zhveshur, sepse është i përbuzur, sepse është skllav, sepse është në burg. sepse është në spital. Këto janë plagët e Jezusit sot. E Jezusi na kërkon të bëjmë një akt feje. T’ia bëjmë Atij, por përmes këtyre plagëve. ‘Ah, mrekullisht mirë! Të themelojmë një fondacion për t’i ndihmuar këta njerëz e të bëjmë, kështu, shumë punë të mira për t’i ndihmuar’. Kjo është e rëndësishme, por në se mbetemi në këtë plan, do të jemi vetëm filantropë. Duhet t’i prekim plagët e Jezusit, duhet t’i ledhatojmë plagët e Zotit, duhet t’i mjekojmë plagët e Krishtit me dashuri, duhet t’ia puthim plagët, e këtë duhet ta bëjmë drejtpërdrejt. Të mendojmë ç’i ndodhi Shën Françeskut, kur puthi të gërbulurin! E njëjta gjë, edhe Tomës. Jeta e tyre u shndërrua!”.Për ta prekur Hyjin e gjallë, pohoi Papa, nuk duhet bërë ndonjë kurs përditësimi, por duhet hyrë në plagët e Jezusit. E për këtë, mjafton të dalësh në rrugë. T’i kërkojmë Shën Tomës, përfundoi Ati i Shenjtë, të ndërmjetësojë që të kemi guximin për të hyrë në plagët e Jezusit me dhembshurinë tonë e, sigurisht, do të kemi hirin të adhurojmë Hyjin e gjallë.







All the contents on this site are copyrighted ©.