2013-07-02 14:57:28

Lituania: Mesazh i ipeshkvijve për presidencën e turnit në BE


“Është e nevojshme të sigurohet një buxhet i drejtpeshuar, të garantohet stabiliteti i euros e të krijohen vende të reja pune, por është edhe më e rëndësishme të kujtohet se qëndrueshmëria ekonomike varet në një masë të madhe nga përpjekjet e njeriut, nga aftësitë e tij morale”. Kështu shkruajnë ipeshkvijtë lituanë në një Mesazh drejtuar Kombit, për fillimin e presidencës evropiane. “Zhvillimi i ndjenjës së përgjegjësisë së njeriut dhe aftësia e tij krijuese janë faktorët më të rëndësishëm për harmoninë shoqërore, pa harruar se duhet të radhiten gjithnjë në listën e detyrave të BE-së. Progresi i vërtetë i shoqërisë matet shumë më tepër me vlerat morale, sesa me rritjen e Prodhimit të Brendshëm Brut; e kur kjo injorohet, lidhet e rregullat administrative, rënia bëhet e pafrenueshme”. Për ipeshkvijtë, njofton agjencia Sir, kriza demografike është më e rëndë se ajo e bankare. Prej këndej, ndjehet fort nevoja për t’i kushtuar vëmendje të dorës së parë familjes. Përveç kësaj, prelatët e shikojnë si detyrë shumë të rëndësishme për të gjitha institucionet e BE-së, mbrojtjen e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë. “Përfaqësuesit e Lituanisë nuk mund të heshtin, kur tradita e krishterë mënjanohet ose përjashtohet, sepse një gjë e tillë e dobëson stabilitetin e themeleve të Bashkimit”, shkruajnë ipeshkvijtë. Mesazhi përfundon me ftesën “për t’iu lutur Zotit t’u japë liderëve evropianë urtinë që ta ndërtojnë paqen mbi bazën e shëndoshë të së vërtetës e mirëqenien, mbi bazën e solidaritetit e të dinjitetit të njeriut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.