2013-06-30 15:55:46

Papa Bergoglio, pjesëmarrësve në Ditën e të rinjve lituanë: ta ndjeni veten gjymtyrë e gjallë e Kishës


“Mos kini frikë ta jetoni fenë, duhet ta ndjeni veten gjymtyrë e gjallë e Kishës”- kështu u shkruan Papa Françesku të rinjve, që morën pjesë në “Ditën VI të Rinisë lituane” me temë : “Ju quajta miq”, kremtimet e së cilës vijojnë në Kaunas.
Në një mesazh, për këtë rast, Papa nënvizon se dashuria e krishterë dhe miqësia e Jezusit nuk janë shpresë e kotë dhe i fton të rinjtë e krishterë të jenë dëshmitarë të Krishtit në gji të bashkëmoshatarëve.
“Jezusi dëshiron t’ju dojë ashtu si jeni, edhe në ligështinë e brishtësinë tuaj që, të prekur nga dashuria e tij, të mund të përtëriheni në korp e në shpirt”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin për “Ditën VI të Rinisë së Lituanisë”. Dashuria e Krishtit e miqësia e Tij, nënvizon Papa, nuk janë ëndërr e as nuk i përkasin vetëm pak vetëve. Krishti në kryq e dëshmon se janë shumë konkrete. Ju, vijon mesazhi, do të mund ta provoni këtë miqësi në të gjithë bukurinë e saj, vetëm nëse do ta kërkoni me sinqeritet, në se do t’ia hapni me besim zemrat Zotit, duke e kultivuar me impenjim jetën tuaj shpirtërore. Ati i Shenjtë kujton, në mënyrë të posaçme, rëndësinë e sakramenteve, të meditimit të Shkrimit Shenjt, të lutjes së vazhdueshme e të jetës në gjirin e bashkësisë së krishterë. Më pas i nxit të rinjtë ta ndjejnë veten gjymtyrë të gjalla të Kishës, të impenjuar në ungjillëzim, përkrah me vëllezërit në fe e në bashkim me barinjtë. Mos kini frikë ta jetoni fenë, i nxit Papa të rinjtë lituanë! Jini dëshmitarë të Krishtit në mjediset tuaja të përditshme, me thjeshtësi e guxim. E kërkojuni të rinjve të krishterë t’ua tregojnë bashkëmoshtarëve Fytyrën e mëshirës e të dashurisë së Zotit, që fal, që jep zemër e dhuron shpresë. Të jeni gjithnjë të vëmendshëm ndaj tjetrit, porosit Papa, posaçërisht ndaj më të varfërve e më të ligshtëve, duke e jetuar e duke e dëshmuar dashurinë vëllazërore, larg çdo egoizmi e mbylljeje në vetvete. Papa i fton të rinjtë ta thonë vazhdimisht Rruzaren Shenjte, duke iu lutur Marisë t’u prijë drejt bashkimit gjithnjë më të ngushtë me Jezusin. Pajtori juaj, Shën Kazimiri, përfundon mesazhi, ju ndihmoftë ta kërkoni e ta çoni në botë Krishtin, pa u lodhur kurrë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.