2013-06-29 16:24:50

Papa në festën e shën Pjetrit e Palit: “Në se logjika e forcës fiton mbi Zotin, bëhemi gur, që pengon ecjen”!


Kur e lëmë të mbizotërojë logjikën e pushtetit njerëzor e nuk duam të na mësojë e të na prijë feja, domethënë Hyji, bëhemi gurë, në të cilët mund të merret në thua. Kështu u shpreh Papa sot paradite, duke kremtuar, në Bazilikën e Vatikanit, me rastin e festës së Shenjtorëve Pjetër e Pal, pajtorë të Kishës së Romës, një Meshë, gjatë së cilës u vuri mbi shpatulla palion 34 metropolitëve të rinj. I pranishëm edhe delegacioni Ekumenik i Kostandinopojës, kryesuar nga Metropoliti i Pergamos, Ioannis, i cili u lut me Papën përballë Varrit të Shën Pjetrit. “Të bashkuar në larmi”: kjo është udha e Jezusit, tha Ati i Shenjtë.
Sipas traditës, sot, më 29 qershor, në festën e pajtorëve të Kishës së Romës, Papa Françesku vuri mbi shpatullat e 34 kryeipeshkvijve metropolitë, ardhur nga të katër anët e botës, palion. Është shenjë e besnikërisë ndaj Ipeshkvit të Romës, e impenjimit për të qenë mjete të bashkimit; simbol i deles së humbur e i Bariut të Mirë, që jep jetën për grigjën e vet. Ndërsa prania e kryeipeshkvijve, vërejti Papa, duke cituar Koncilin II të Vatikanit, është shenjë e bashkimit në Kishë, gjë që nuk do të thotë rrafshim vlerash, mungesë larmie. Larmia është pasuri e madhe:
“Pasuri e madhe, që ringjall, në një farë mënyre, ngjarjen e Rrëshajëve: sot, si atëherë, feja e Kishës i flet të gjitha gjuhët e dëshiron t’i bashkojë të gjithë popujt në një familje të vetme”.
Larmia në Kishë, vijoi Papa Françesku, bazohet gjithnjë mbi harmoninë e unitetit, si një mozaik i madh, në të cilin të gjithë gurët mblidhen bashkë, për të formuar veprën e vetme, të madhe, të Zotit:
“E kjo duhet të na nxisë ta kapërcejmë gjithnjë çdo konflikt, që plagos korpin e Kishës. Të bashkuar, në larmi: kjo është udha e Jezusit!... Sinodi i Ipeshkvijve, në harmoni me parinë. Duhet të ecim në këtë rrugë sinodaliteti, të rritemi në harmoni me shërbimin e parisë”.
Ipeshkvi i Romës, tha Papa, është i thirrur për të përforcuar në unitetin e fesë e të dashurisë. I prirë nga ikona ungjillore e dëshmisë së Pjetrit për Jezusin. E kjo është e mundur, sepse e dhuruar nga lart. Nis me dëshmimin “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të Gjallë”, pas të cilit vijnë fjalët e Mesisë: “Ti je Pjetër, shkëmb, e mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time”. Papa Françesku u tërhoqi vëmendjen të krishterëve dhe të gjithë njerëzve, që i shërbejnë Kishës, duke i porositur t’i rrinë larg përshtatjes me logjikën e botës:
Kur Jezusi flet për vdekjen e ngjalljen e Tij, për rrugën e Hyjit, që nuk përkon me rrugën njerëzore të forcës, mishi e gjaku i Pjetrit çohen peshë. E nis ta qortojë Zotin:...kjo nuk do të të ndodhë kurrë!’(16,22). E Jezusi i përgjigjet ashpër:Larg meje, shejtan! Ti po më shkandullon!’ (v 23). Kur i lëmë të mbizotërojnë mendimet tona, ndjenjat tona, logjikën e forcës njerëzore e nuk e lëmë fenë, Zotin, të na mësojë e të na prijë, bëhemi gurë që pengojnë, që zënë udhën ”.
Ishin, më pas edhe fjalët e Palit: “E luftova betejën e mirë”, që e frymëzuan reflektimin e Atit të Shenjtë, i cili sqaroi menjëherë se beteja e prirë nga Apostulli i Popujve nuk ishte ajo me armët njerëzore, që për fat të keq gjakosin akoma botën. Ishte beteja e martirizmit:
Shën Pali ka një armë të vetme: mesazhin e Krishtit dhe dhuratën e gjithë jetës së tij për Krishtin e për të tjerët. E ishte pikërisht shembulli i tij, shkrirja e jetës për Ungjillin, përpjekja për të qenë gjithçka për të gjithë, pa e kursyer veten, që e bëri të besueshëm e që e themeloi Kishën. Ipeshkvi i Romës është i thirrur ta jetojë e ta përforcojë këtë dashuri për Krishtin e për të gjithë, pa dallim, pa kufi, pa pengesa”.
I pranishëm në Meshë, edhe delegacioni i Patriarkanës së Kostandinopojës, kryesuar nga Metropoliti Ioannis. Papa i falënderoi miqtë për këtë gjest të ri vëllazëror të Patrikut Ekumenik Bartolomeu I. Vizita, që nisi me audiencën e delegacionit tek Ati i Shenjtë natën e festës, radhitet në shkëmbimin tradicional të delegacioneve për festat e Shenjtorëve Pajtorë: më 29 qershor në Romë, për kremtimin e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal e më 30 nëntor, në Stamboll, për kremtimin e Shën Andreut Apostull. Në festë ra në sy edhe një prani tjetër ekumenike: kori i Thomaskirche të Lajpcigut, Kishës së Bahut, që gjallëroi liturgjinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.