Mesazhi i festës së Shën Pjetrit e Shën Palit, Apostuj.
Sot, Kisha katolike universale kremton solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit
Apostuj, të cilëve Krishti u besoi lartimin e ngrehinës së Kishës Katolike Universale,
që i bën ballë shekujve. Kremtohen solemnisht, dy njerëz, që u persekutuan për
vdekje. Një peshkatar e një çadërpunues. I përfunduan ditët tragjikisht për shkak
të urrejtjes kundër mesazhit që përfaqësonin, që e mbrojtën edhe me flijimin e jetës.
Shën Pjetri u mbërthye në kryq, si Mësuesi i vet. Kërkoi ta mbërthenin e gozhdonin
kokëposhtë, sepse i padenjë për një mbarim krejt të ngjashëm me Zotin. Shën Palit
iu pre koka, jashtë mureve të Romës, sepse si shtetas romak, që kishte tradhtuar perënditë
pagane, për një Zot të kryqëzuar, nuk duhej ta njolloste qytetin me gjakun e tij.
Të krijohet përshtypja se gjithçka mori fund atë ditë, me një njeri të mbërthyer mbi
kryq e një tjetër, me kokë të prerë. Por, solemniteti i sotëm na kujton se pas
çdo persekutimi, duhet parë ndeshja ndërmjet dritës e errësirës, ndërmjet së mirës
e së keqes, ndërmjet ligjit të dashurisë e ligjit të urrejtjes. Këtë na kujtojnë sot
Princat e Apostujve, nga të dyja bazilikat e mëdha romake, që u janë kushtuar, e nga
qindra kisha e kapela, përhapur kudo në botë, sot në festë për pajtorët e tyre të
fuqishëm qiellorë. Paradoks, që nuk mund të mos e shtyjë njeriun t’i bëjë vetes pyetjen:
“Po pse gjithë urrejtje, gjithë kjo mizori kundër ndjekësve të Krishtit? Jo dikur,
jo dje, por edhe sot? Paradoksale kjo mëri, për ata që i binden ligjit të dashurisë,
që marrin nga Mësuesi i tyre urdhrin të mos urrejnë asnjeri, as armikun, as atë që
i kryqëzon e ua pret kokën. Por ka edhe më. Zoti i të krishterëve i urdhëron ndjekësit
e vet ta duan atë, që s’i lë të qetë, që i mundon, thjeshtë për ligësi, që i kryqëzon,
që ua pret kokën, sepse urren Zotin e tyre! Arsyeja e persekutimit të ndjekësve
të Krishtit buroi nga risia, që sillte krishterimi, i cili pohoi me forcë se njerëzit
janë të barabartë. Madje Jezusi i sfidon ata, që kanë në dorë frenat e botës, të atëhershme
e të sotme, i prek në krenarinë e tyre të pandreqshme, kur u kujton: “ Me të vërtetë
po ju them: atë që s’e bëni për njërin prej më të vegjëlve, nuk e keni bërë për mua!”.
Jezusi vuri në qendër të botës njeriun e zakonshëm, njeriun e vogël, njeriun shpirtërisht
të çliruar nga përdhuna e të mëdhenjve. U kujtoi të gjithëve se mund të jesh i lirë
edhe në burg, edhe në kryq, ashtu si mund të jesh skllav edhe mbi fron! Prandaj
risia e bukuria e mesazhit të Jezusit, u rrok menjëherë nga qindra mendimtarë në
rrjedhë shekujsh. Edhe nga një shkrimtar, si André Gide (Andre Zhid), çmim Nobel për
letërsinë, që letrarisht zvarritej në baltë, e nga një shkrimtar tjetër, i trazuar
nga dyshime të thella, si filozofi rus, Dostojevskij. E përqafuan këtë mesazh, sepse
kush e njeh Jezusin, nuk mund të bëjë më pa Të; Jezusi është i vetmi, që mund t’i
japë kuptim jetës së njeriut, i vetmi mjek, që mund të shërojë ligështitë tona e mjerimin
tonë, duke mjekuar shkakun e vetë mjerimit, ligësinë e shpirtit njerëzor. Në
Solemnitetin e sotëm, kujtesa historike na çon në vendet ku jetuan e u martirizuan
apostujt, në Burgun Mamertin, tek burimi ujit, ku pagëzonin shokët e qelisë, që dilnin
nga burgu i vetvetes të rilindur, si ndjekës të Jezusit. Një burg, që bëhet vend kulti.
Bëhet kishë. Bëhet muze! E nuk është i vetmi: në botë, sidomos në atë Lindore, ka
burgje, ku u bënë mizoritë më të mëdha mbi të krishterët, për shkak të urrejtjes kundër
Krishtit. E nuk i përkasin shekujve të parë të krishterimit, por shekujve të vonë,
kohëve shumë pranë nesh. Krishti vetë persekutohet në njëmijë mënyra, në bijtë e vet,
ashtu si u persekutuan Apostujt e mëdhenj, që kremtojmë sot, vetëm pse mbrojtën të
voglin, nga ligësia e njeriut të pushtetshëm; vetëm pse e mësuan të dojë e të mos
urrejë askënd, as atë që u pret kokën e i kryqëzon, duke u hapur para udhën, që çon
në Mbretërinë së qiellit, së cilës ata i besonin, i besojnë, deri në pikën e fundit
të gjakut. Ky është mesazhi i Solemnitetit të sotëm!