2013-06-28 14:49:02

Papa Françesku pret ortodoksët e Patriarkanës ekumenike: nuk duhet të kemi frikë nga dialogu


Një takim i rëndësishëm me karakter ekumenik hapi impenjimet e sotme të Papës Françesku, i cili priti, në Vatikan, delegacionin e Patriarkanës ortodokse ekumenike, ardhur në Romë për të marrë pjesë, sipas traditës, në festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal, nesër, më 29 qershor. Kremtimi solemn do të fillojë në orën 9.30, në Sheshin e Shën Pjetrit, kryesuar nga Papa. Gjatë Meshës, Ati i Shenjtë do t’i vërë mbi shpatulla Palion kryeipeshkvijve të rinj metropolitë.

Vërtetësi, ndërmjet mijëra zërave, që nuk përkojnë; shpresë, në një botë ku mungon; paqe, në një Planet, ku ka tepër urrejtje. Këtë përpiqen gjithnjë të dëshmojnë të krishterët, e do të ishte vërtet e bukur, nëse ky kumtim do të bëhej me një zë të vetëm. Me këtë urim kryesor, Papa Françesku, për herë të parë nga zgjedhja në papni, përqafoi përfaqësuesit e Patrikut ortodoks ekumenik, Bartolomeu I. Ishte takimi i tij i parë tradicional, karakteristik për festat e Pajtorëve të të dyja palëve. Kjo udhë nisi që në vitin 1969, vit kur të dyja Kishat u afruan shumë, duke e shpejtuar hapin në udhën e bashkimit të plotë, gjë që i flet qartë mbarë botës:
“Kërkimi i uniteit ndërmjet të krishterëve është urgjencë, nga e cila sot, më shumë se kurrë, nuk mund të shmangemi. Në këtë botë, të uritur e të etur për të vërtetën, dashurinë, shpresën, paqen e unitetin, ka rëndësi për vetë dëshminë tonë, të kumtojmë, më në fund me një zë të vetëm, lajmin e gëzuar të Ungjillit e t’i kremtojmë së bashku Misteret Hyjnore të jetës së re në Krishtin”.
E dimë mirë, tha Papa Françesku, se uniteti është në radhë të parë dhuratë e Zotit, e se për të duhet të lutemi me ngulm, por ne të gjithëve, pohoi, na takon detyra t’i përgatisim kushtet, ta lërojmë tokën e zemrave, që ky hir i jashtëzakonshëm të mbijë e të rritet. Papa e vlerësoi shumë si ‘kontribut themelor në kërkim të bashkimit të plotë të katolikëve e ortodoksëve’ punën që po kryen prej vitesh Komisioni i përbërë ndërkombëtar për dialogun teologjik, aktualisht i impenjuar me temën delikate të lidhjes teologjike dhe ekleziologjike ndërmjet parisë e sinodalitetit në jetën e Kishës:
Është domethënëse që sot mund të reflektojmë së bashku, në vërtetësi e dashuri, mbi këto tematika, duke nisur nga ajo, që na bashkon, pa e fshehur atë që na ndan akoma. Nuk është fjala për një ushtrim thjesht teorik, por për t’i njohur me fund traditat e njëri-tjetrit, për t’i kuptuar e, nganjëherë, edhe për të mësuar prej tyre”.
Për të mësuar, për shembull, pohoi Papa, kuptimin e kolegjialitetit ipeshkvnor dhe traditën e sinodalitetit që, nënvizoi, është tipike në Kishat ortodokse:
Kam besim se përpjekja e reflektimit të përbashkët, reflektim i ndërlikuar e i mundimshëm, do të japë fryt në kohën e duhur. Më ngushëllon mendimi se katolikët e ortodoksët e konceptojnë njëlloj dialogun e nuk kërkojnë të mbyllen vetëm në atë teologjik, për të arritur mirëkuptimin, por bazohen në thellimin e së vërtetës së vetme, që Krishti ia dhuroi Kishës së tij e nuk do të pushojnë kurrë s’u përpjekuri për ta kuptuar mirë e më mirë, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Prandaj nuk duhet të kemi frikë nga takimi e nga dialogu i vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.