2013-06-26 14:07:51

Të shtunën Papa u jep ‘Palion’ 35 kryeipeshkijve të ri metropolit nga të gjitha kontinentet


Në ditën e festës së Shën Pjetrit e Palit Apostuj, të shtunën më 29 qershor, gjatë kremtimit të Meshës në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, 35 kryeipeshkvij të ri metropolit, do të marrin nga Papa Françesku simbolin e ‘Palio-s’, shenjë e bashkimit të tyre me Pjetrin e me pasardhësit e tij, që është garanci e lirisë për Barinjtë e Kishave vendore e për vet Bashkësinë kishtare që u janë besuar këtyre barinjve shpirtëror. Kryepeshkvijtë e ri do të vijnë nga të gjitha kontinentet: 16 nga Amerika, 9 nga Evropa, 6 nga Azia, 3 nga Afrika e 1 nga Oqeania.
Kujtojmë se simboli i palios ka një domethënie të pasur kishtare e teologjike. Palio është stolë apo fashë prej leshi të bardhë, e gjerë 4-6 centimetra, mbi të cilën spikasin pesë kryqe të qëndisur me mëndafsh të zi, si simbol i pesë plagëve të Krishtit në kryq. Ajo vendoset mbi shpatulla të kryeipeshkvijve duke u mbërthyer në kraharor, në shpinë e në shpatullën e majtë me tri karfica të stolisura me gurë, që njihen me emrin ‘aciculae’.
Palio, që simbolizon delen e humbur, të kërkuar, të gjetur e të shpëtuar dhe të vënë përmbi shpatullat e Bariut të Mirë, Jezu Krishtit, është shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që Papa u ngarkon ipeshkvijve mitropolitë. Tre muaj pas shugurimit ose emërimit të tyre, ipeshkvi metropolitë duhet të marrë nga Papa simbolin e palios.
Kjo traditë kishtare nisi që nga gjysma e shekullit IX. Dorëzimi i palios bëhet në Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në selinë metropolitane, nga ipeshkvi i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e pasi kryeipeshkvi metropolit ka bërë betimin për besnikëri.
Kryeipeshkvi Metropolit e vë simbolin e palios vetëm në Meshët solemne pontifikale të Kishës së tij dioqezane ose të krahinës së tij dioqezane në ditët e përcaktuara nga Pontifikali Romak, në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit, shtuar nga papa Leoni XIII, në rastet e shugurimeve meshtarake ose ipeshkëvnore etj. Simboli i palios ka karakter personal e nuk mund t’i dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Nëse kryeipeshkvi transferohet në një seli tjetër metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re. Vetëm Papa ka të drejtë ta mbajë gjatë meshëve solemne e kudo të jetë.
Po kujtojmë se për herë të parë simboli i palios nisi të përdorej aty nga gjysma e shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm të Trevirit, në një procesion fetare me relike, po edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Maksimiani, në mozaikun e Shën Vitales.







All the contents on this site are copyrighted ©.