2013-06-26 14:06:08

Papa në audiencën e përgjithshme: para syve të Zotit të gjithë jemi njëlloj, edhe unë. Askush nuk është i panevojshëm në Kishë


“Në Kishë të gjithë janë të rëndësishëm, askush nuk është i panevojshëm”. Ishte ky një nga fragmentet më domethënëse të katekizmit të Papës Françesku, në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan ku, siç po ndodh vazhdimisht në takimet e së mërkurës, u dyndën mijëra besimtarë nga të katër anët e botës. Ati i Shenjtë pohoi me forcë se para syve të Zotit të gjithë janë të barabartë, edhe Papa. Më pas i nxiti besimtarët të sjellin në Kishë jetën tyre, zemrën e tyre, të gjithë së bashku.
Jemi të gjithë të nevojshëm për Kishën, askush nuk është i kotë. Mesazh i fortë i Papës Françesku, edhe sot në dialog me Popullin e Zotit, që kishte mbushur përplot Sheshin e Shën Pjetrit. E sot tema, në qendër të vëmendjes në katekizmin papnor, ishte pikërisht Kisha, si Tempull i Shpirtit Shenjt. Tempulli i lashtë, theksoi, qe ndërtuar me duar njerëzish, sepse duhej t’i jepej një shtëpi Zotit. Por me mishërimin e Birit të Hyjit, është Zoti vetë ai, që e ndërton shtëpinë e vet. Krishti është Tempulli i gjallë. E ne, vijoi akoma, gurët e gjallë të ngrehinës së Zotit, të bashkuar fort me Krishtin. Nuk jemi të izoluar, vërejti Papa Françesku, jemi popull i Hyjit, e kjo është Kisha: Popull i Hyjit. Kisha nuk është gërshetim sendesh e interesash, por Tempull i Shpirtit Shenjt. Në të, secili nga ne, për virtyt të dhuratës së Pagëzimit, është gur i gjallë. E kjo na bind se askush nuk është i panevojshëm në Kishë:
Askush nuk është i tepërt në Kishë! E nëse ndokush, rastësisht, i thotë ndonjërit nga ju: ‘Epo, nisu në shtëpi tënde, sepse je i kotë’, kjo nuk është aspak e vërtetë. Askush nuk është i panevojshëm në Kishë: të gjithë jemi të nevojshëm, për ta ndërtuar këtë Tempull”.
Askush, shtoi, nuk është i dorës së dytë. E askush nuk mund ta mbajë veten më të rëndësishmin në Kishë:
Të gjithë jemi të barabartë para syve të Zotit, të gjithë, të gjithë! Po ndonjëri nga ju mund edhe të thotë: ‘Dëgjoni, zotëri Papë, ju nuk mund të jeni njëlloj si ne’. Po, jam, si secili prej jush; të gjithë jemi të barabartë, të gjithë jemi vëllezër! Askush nuk është njeri pa emër: të gjithë së bashku formojmë e ndërtojmë Kishën”.
E kjo, vijoi, na fton edhe të reflektojmë për faktin se, po të mungojë një tullë e jetës sonë të krishterë, mungon diçka prej bukurisë së Kishës. Bukuria cënohet. Bëhet e mangët:
Ka edhe nga ata që thonë: ‘Ah, unë me Kishën s’kam punë!’. Por, mos harro, mungon tulla e jetës sate në këtë Tempull të bukur! Askush nuk mund të ikë, e? Të gjithë duhet të sjellim në Kishë jetën, zemrën, dashurinë, mendimin, punën tonë... të gjithë së bashku!”.
Ja pra, vijoi Papa, duhet t’ia hapim zemrën hirit të Shpirtit Shenjt, për të qenë gurë të të bashkësive tona, jo gurë të lodhur, të mërzitur, indiferentë:
“A nuk e keni parë sa keq duket i krishteri i kapitur? I ngrysur? Indiferent? Është i shëmtuar i krishteri me këtë fytyrë, nuk shkon! I krishteri duhet të jetë i gjallë, plot me gëzimin se është i krishterë! Duhet ta jetojë bukurinë e pjesëmarrjes në popullin e Zotit, që është Kisha”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi posaçërisht kardinalin Salvatore De Giorgi dhe të gjithë ata, që e rrethojnë në kremtimin e 60-vjetorit të shugurimit meshtarak e të dyzet vjetorit ipeshkvnor:
Mendojeni ç’shërbim i bukur në gji të Kishës: 60 vjet meshtar e 40 ipeshkëv! Është shërbim i bukur i atij, që ka zemër ati, mirësi ati e me këtë zemër i bëri një shërbim shumë të madh Kishës. Sot, po ju them një gjë, sot paradite kremtova Meshën e ishte një grup i vogël meshtarësh, në krahasim me sa e sa të tjerë, të shuguruar nga ai: më pak se 80 vetë. Përfytyrojeni sa meshtarë ka shuguruar ky njeri! Ta falënderojmë për gjithë ç’ka bërë në shërbim të Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.