Më 26 qershor kalendari kujton shën Hosemaria Eskriva de Balager
Më 26 qershor kalendari kishtarkremton Shenjtin Hosemaria Eskriva de Balager,
meshtar, themelues i Opus Dei. Hosemaria Eskriva lindi në Barbastro të Spanjës
më 9 janar 1902, studioi në Seminarin e Longronos e të Saragozës, ku u diplomua në
teologji e drejtësi, në sa më 28 mars 1925 u shugurua meshtar. Më 1927 u transferua
në Madrid, ku punoi pa pushim në të gjitha mjediset, duke iu kushtuar të varfërve,
të sëmurëve, të braktisurve. Më 2 tetorin e vitit 1928, Escriva pa në vegim
veprën që priste të realizohej prej tij. Ishte festa e Engjëjve të Rojës. Don Hosemaria
nuk do ta harronte kurrë tingëllimin e këmbanave, që dëgjoi atë ditë! Mishel Doc,
teologu të cilit iu besua nga Opus Dei hartimi i biografisë, që iu dorëzua pjesëmarrësve
në ceremoninë e shenjtërimit të tij, së bashku me doracakun e shtegtarit, rikujton
me këto fjalë, atë që ngjau atë 2 tetor, datë që do të shënonte një kthesë vendimtare
në jetën e Escriva De Balaguer dhe të qindra njerëzve. “Më 2 tetor, pas Meshe,
don Hosemaria u kthye në dhomën ku banonte dhe nisi të vinte në rregull shënimet e
tij, vendimet, propozimet…E ndërsa shkruante, papritmas pa qartë vullnetin e Zotit.
Më vonë, kur do të fliste për këtë çast, do të përdorte gjithnjë foljen "pashë" lidhur
me këtë ndërhyrje të mbinatyrshme: ishte një vegim intelektual i Opus Dei-t, ashtu
siç e dëshironte Zoti e si do të ishte në rrjedhë shekujsh”. Në dritën e Zotit
- shkruhet në biografinë e tij - pa njerëz të çdo race, të çdo moshe e kulture që
e kërkojnë e gjejnë Zotin, në sa jetojnë të përditshmen e tyre në punë, në familje,
në miqësitë, në kënaqësitë e orës kur çlodhen nga telashet e përditshme. E kërkojnë
Jezusin për ta dashur e për të jetuar jetën e Tij hyjnore, derisa të lëshohen plotësisht
në duart e tij e të bëhen shenjtorë: shenjtorë të botës! Vegim tronditës, në të
cilin shihen të krishterë të zakonshëm, laikë që bëhen apostuj, që e shndërrojnë botën,
pa u shkëputur për asnjë çast prej saj! Ndërsa vijonte vegimi e Hosemaria kishte rënë
në gjunjë, i prekur thellë në shpirt, nisën të tingëllojnë këmbanat e Kishës së Zonjës
së Engjëjve për të festuar Lajmëtarët qiellorë. Kumbonin në një mënyrë aq të mrekullueshme,
sa të mbeteshin përjetë në kujtesën e meshtarit. "Kisha 26 vjeç, hirin e Zotit e humor
të mirë. Vetëm kaq. E më duhej të themeloja Opus Dei-n" - kujtonte më vonë meshtari.
Vdiq më 26 qershor 1975, u varros në Kishën e Shën Marisë së paqes në Romë; u
shpall i lum më 17 maj 1992 e u shenjtërua më 6 tetor 2002, gjatë një kremtimi solemn,
kryesuar nga Papa Gjon Pali II në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në praninë e
më se 300 mijë besimtarëve nga mbarë bota.