2013-06-26 12:25:46

Evropa e fetë: dialogu bëhet më i frytshëm


Ipeshkvijtë e akredituar pranë Bashkimit Evropian i quajtën menjëherë “hap pozitiv përpara”. Janë direktivat për lirinë fetare, miratuar nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm, mbledhur këto ditë në Strasburg. Dokumenti me titull “Orientime të Bashkimit Evropian për promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së fesë e të kultit” përcakton një sërë masash për mbrojtjen e çdo feje dhe është një mjet i çmuar në marrëdhëniet me vendet e tjera, sidomos me ato, ku dhunohet liria fetare.
Ipeshkvijtë evropianë të të gjitha Kishave të krishtera, që përfaqësohen nga organizma si COMECE (Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian) dhe KEK (Konferenca e Kishave Evropiane), e prisnin prej kohësh këtë rezultat. Që në vitin 2010, ata patën publikuar një memorandum me 11 rekomandime për shtetet anëtare, por gjatë viteve të fundit, kanë organizuar edhe shumë takime e seminare për këtë temë.
Në komunikatën e djeshme të COMECE-s, theksohet se në orientimet evropiane përmbahen disa masa të detajuara, sidomos përsa i përket zbatimit në praktikë të lirisë së shprehjes, por nënvizohet se ato mbeten akoma të përgjithshme, ndërsa për disa çështje të tjera kërkohet saktësi më e madhe. Ipeshkvijtë urojnë të rishikohen direktivat edhe në dritën e rekomandimeve të Parlamentit të Bashkimit Evropian, i cili më 13 qershor, reflektoi për përmasën kolektive të lirisë fetare, për njohjen e së drejtës së prindërve në edukimin e fëmijëve sipas bindjeve të tyre fetare dhe për parimin e mosdiskriminimit fetar.
Në prag të 10-vjetorit të publikimit të Nxitjes Apostolike “Ecclesia in Europa”, nënshkruar nga i Lumi Gjon Pali II më 29 qershor 2003, dokumenti i Brukselit është hap përpara në bashkëpunimin ndërmjet Kishave dhe institucioneve për të riparuar indin shoqëror të kontinentit të vjetër. I njëjti motivacion frymëzon edhe “Javën e Shpresës” (Week for Hope), organizuar në Bruksel nga COMECE, për të reflektuar mbi krishterimin e të krishterin sot, i cili, në liri të plotë, duhet të dëshmojë Krishtin në shoqëri. Si shembull janë marrë disa figura shenjtorësh të të gjitha kohrave.







All the contents on this site are copyrighted ©.