Ati i Shenjtë Bergoglio: priftërinjtë duhet të kenë hirin e atësisë shpirtërore. Urimet
kardinalit De Giorgi
Zoti do që priftërinjtë të jetojnë me hirin e plotë të atësisë, asaj shpirtërore,
lidhur me njerëzit, që u janë besuar. E pohoi Papa Françesku në Meshën, kryesuar paradite
në Kapelën e Shën Martës. Me Atin e Shenjtë ishin të pranishëm prelatët e meshtarët,
që shoqëronin kryeipeshkvin e nderit të Palermos, kardinalin Salvatore De Giorgi,
i cili sot kremtoi 60-vjetorin e shugurimit meshtarak, rrethanë që Papa e ceku me
fjalë plot nderim gjatë homelisë dhe e rikujtoi në audiencën e përgjithshme. Dëshira
për t’u bërë baba shkruhet në fibrat më të thella të njeriut. E prifti, nënvizoi Papa,
nuk bën përjashtim, ndonëse këtë dëshirë e plotëson dhe e jeton në një mënyrë të veçantë: “Kur
burri nuk e ndjen këtë dëshirë, do të thotë se ka diçka mangut: diçka nuk shkon. Të
gjithë ne, për të qenë, për t’u përkryer, për të fituar pjekurinë, duhet ta ndjejmë
gëzimin e atësisë: edhe ne, të pamartuarit. Atësi është t’u japësh jetë të tjerëve,
të japësh jetë, të japësh jetë... Për ne atësia është baritore, atësi shpirtërore:
por është njëlloj dhënie jete, na bën njëlloj baballarë”. Shtytjen për
reflektimin e sotëm, Papa Françesku e mori nga fragmenti i shkëputur prej Librit
të Zanafillës, në të cilin Zoti i premton Abrahamit gëzimin e një biri, e njëherësh,
pasardhës të shumtë, sa yjet e qiellit. Për ta vulosur këtë pakt, Abrahami ndjek porositë
e Zotit. Ngre një elter, flijon disa kafshë e pastaj i mbron nga sulmi i zogjve grabitqarë.
Më prek thellë në shpirt, shpjegoi Papa, figura e këtij nëntëdhjetëvjeçari, me shkop
në dorë, që mbron flinë e tij. Më bën të mendoj për një atë, që mbron familjen, bijtë: “Një
atë, që e di ç’do të thotë t’i mbrosh fëmijët. E ky është hir, që ne, priftërinjtë,
duhet ta kërkojmë: të jemi etër, baballarë. Të kërkojmë hirin e atësisë, të atësisë
baritore, të atësisë shpirtërore. Mëkate kemi shumë, por ky është i commune sanctorum,
të gjithë kanë mëkate. Por të mos kesh bij, të mos bëhesh baba, është sikur jeta të
mos ia arrinte qëllimit, të ndalej në mes të udhës. E prandaj edhe duhet të jemi etër.
Hir, ky, që e jep vetë Zoti. Njerëzit na thonë: “Atë, atë, atë...’. Duhet të jemi
etër, me hirin e atësisë baritore”. Në këtë pikë, Papa ia nguli plot dashuri
sytë kardinalit De Giorgi, që pikërisht sot kremtonte 60-vjetorin e meshtarisë: “Nuk
e di ç’ka bërë Salvatori i dashur, po jam i sigurt se ka qenë atë”. E kjo është një
shenjë, vijoi Papa, duke iu drejtuar grupit të meshtarëve, që e shoqëronin, shuguruar
nga Hirësia e Tij. Tani ju takon ju, i nxiti Papa Françesku meshtarët, të jepni frytin
tuaj, e frytet duhet të jenë të mira, shtoi me simpati: “Falënderojmë Zotin
për hirin e atësisë në Kishë, që shkon nga ati tek biri, e kështu me radhë... Mendoj,
për të përfunduar, për dy ikonat, e edhe një më shumë- ikonën e Abrahamit, që lyp
një djalë, ikonën e Abrahamit me shkop në dorë, duke mbrojtur familjen e ikonën e
Simeonit plak në Tempull, kur merr jetën e re: bën një litrugji të vetvetishme, liturgjinë
e gëzimit, të Atij, Krishtit. E edhe ju Zoti sot ju dhëntë shumë gëzim”.