Tek Papa Bergoglio, kreu i indigjenëve argjentinas “qom”
Gjendja e popujve indigjenë, me problemet e rënda që shpesh e karakterizojnë, ishte
në qendër të audiencës së Papës Françesku me Félix Dìaz, kreu i etnisë Qom të bashkësisë
argjentinase “Pranvera”, i shoqëruar nga Nobeli për paqen, Adolfo Pérez Esquivel.
Duke i shfaqur mirënjohje Atit të Shenjtë për këtë takim, Félix Dìaz i foli për “vështirësitë
e popujve indigjenë në Argjentinë dhe në Amerikën Latine, si edhe për shqetësimet
e tyre lidhur me mbrojtjen e të drejtave, sidomos përsa i përket territorit dhe identitetit
kulturor”. Kështu njofton nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit. Etnia Qom, që
në vitin 1940, mori nga shteti një territor prej 5 mijë hektarësh, ku mund të jetonte
sipas rregullave të veta. Fatkeqësisht, ky territor zvogëlohet gjithnjë e më shumë,
për shkak të dhënies së tij institucioneve, ose shfrytëzimit nga ana e shtetit. Gjithashtu,
indigjenëve u mungon uji i pijshëm, ushqimi, puna. Askush nuk u njeh të drejtën e
qytetarisë, pavarësisht se kërkesa për t’u konsideruar nënshtetas argjentinas është
bërë në vitin 2011. Plagët e tjera nga të cilat vuajnë janë analfabetizmi, mosrespektimi
i gjuhës dhe i identitetit të tyre kulturor, kërcënuar nga racizmi, diskriminimi e
nga politikat, që synojnë zhdukjen e bashkësive tradicionale indigjene.