2013-06-24 15:13:28

Papa Françesku Komitetit hebraik për konsultime ndërfetare: “I krishteri nuk mund të jetë antisemit”.


“I krishteri nuk mund të jetë antisemit”: është fraza më e fortë, shqiptuar nga Papa Françesku në audiencën me anëtarët e Komitetit Hebraik Ndëkombëtar për Konsultime Ndërfetare”(International Jewish Committee on Interreligious Consultations). Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, Papa vuri në dukje marrëdhëniet e gjata të miqësisë ndërmjet të krishterëve e hebrenjve dhe i inkurajoi të dyja palët të vijojnë rrugën e nisur.
Dy herë, gjatë fjalimit, u përsëriti “vëllezërve të mëdhenj” fjalën shalom, paqe. E bëri në fillim, duke kujtuar 40-vjetorin e dialogut të rregullt ndërmjet hebrenjve e të krishterëve, vite, që kontribuan për të fuqizuar mirëkuptimin reciprok dhe lidhjet e miqësisë; pastaj edhe në fund të audiencës, kur kërkoi, por edhe siguroi, dhuratën e lutjes. Fjalët e Papës u frymëzuan nga Deklarata konciliare ‘Nostra Aetate’, pikë themelore referimi për marrëdhëniet me popullin hebraik:
“Kisha pranon se zanafilla e fesë së saj edhe e zgjedhjes së saj, sipas misterit hyjnor të shelbimit, gjinden tek Patriarkët, tek Mosiu e Profetët. E, përsa i përket popullit hebraik, Koncili kujton mësimin e Shën Palit, sipas të cilit dhuratat dhe thirrja e Zotit janë të paprapsueshme e i dënon me forcë urrejtjen, persekutimet dhe të gjitha shfaqjet e antisemitizmit. Për arsye të rrënjëve tona të përbashkëta, i krishteri nuk mund të jetë antisemit!”.
Frazë e fortë, që lë gjurmë mbi këtë rast të parë ballafaqimi me një grup zyrtar përfaqësuesish të organizatave e të bashkësive hebraike. Papa shtoi se pikërisht parimet konciliare i hapën rrugën njohjes më të thellë e mirëkuptimit reciprok në vitet e fundit. E në këtë rrugë tashmë janë bërë edhe deklarata e gjeste të dukshme, realizuar në nivel lokal, nga pak në të gjithë botën. Këtu Papa kujtoi përvojën e tij si kryeipeshkëv i Buenos Ajres, foli për ballafaqimin e dialogun me hebrenjtë, kushtuar identitetit fetar dhe rrugëve, që duhen përshkuar për ta mbajtur gjallë kuptimin e Zotit në një botë të shekullarizuar:
“U ballafaqova me ta në shumë raste për sfidat e përbashkëta, që i presin hebrenjtë e të krishterë. Por sidomos, si miq, shijuam praninë e njëri-tjetrit, u pasuruam reciprokisht në takim e në dialog, me frymë mikpritjeje reciproke, gjë që na ndihmoi të rritemi si njerëz e si besimtarë”.
Miqësi kjo, që shërben si bazë për dialogun, i cili sot pati karakter zyrtar; e sidomos për rrugën, që duhet të vijojë, duke përfshirë edhe breznitë e reja:
“Njerëzimi ka nevojë për dëshminë tonë të përbashkët në favor të respektimit të dinjitetit të burrit e të gruas, krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit e në favor të paqes që, para së gjithash, është dhuratë e Tij. Më pëlqen të kujtoj, këtu, fjalët e Jeremisë Profet; “Sepse unë e di mirë synimin që kam për ju, synim paqeje e jo mjerimi, synim ardhmërie plot me shpresë” (Jer. 29,11).







All the contents on this site are copyrighted ©.