2013-06-23 18:46:29

Mesha e Papës me nuncat apostolikë: Jezusi na pyet kush është për ne; t’i përgjigjemi me zemër


Sot paradite, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kryesoi Meshën Shenjte në Shtëpinë e Shën Martës. Të pranishëm, rreth 40 nuncë apostolikë, që mbetën në Vatikan, pas takimit me Papën, të premten e kaluar. Duke komentuar Ungjillin e së dielës sipas Lukës, Papa u ndalua tek pyetja, që u bën Krishti apostujve: “Po ju, kush mendoni se jam unë?”. Ati i Shenjtë nënvizoi se duhet t’i përgjigjemi Jezusit me zemër, të frymëzuar nga nderimi i thellë për Të e nga shkëmbi i dashurisë së Tij.
“Kush thoni se jam?”. Pyetje, së cilës Pjetri i përgjigjet: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë’ e që, dymijë vjet më pas, na drejtohet përsëri, duke na vënë në krizë, si provë në udhën tonë të fesë. Pyetje, që i drejtohet drejtpërdrejt zemrës, pohoi Papa Françesku, duke u folur, në homeli, nuncëve apostolikë, e së cilës duhet t’i përgjigjemi me përvujtërinë e mëkatarit, përtej frazave të gatshme, të leverdisshme a që i themi thjesht për mirësjellje:
“Ne, edhe ne, që jemi apostuj e shërbëtorë të Zotit, duhet të përgjigjemi, sepse Zoti na pyet: ‘Ç’mendon ti për mua?’. E bën, e? E bën shumë herë! ‘Ç’ mendon ti për mua?’, na thotë Zoti. E ne nuk mund të bëjmë sikur nuk kuptojmë. ‘Po, ti je Mesia. E kam lexuar’. Me Jezusin nuk mund të flasim si me një personalitet të historisë, apo jo? Jezusi është i gjallë para nesh. Këtë pyetje na e bën një Vetje e gjallë. E ne duhet të përgjigjemi, por nga zemra”.
Jemi të thirrur ende sot nga Jezusi për të bërë atë zgjedhje rrënjësore, që patën bërë Apostujt, zgjedhje e ‘plotë’, sipas logjikës ‘gjithçka, ose asgjë’, një udhë për t’u bërë në të cilën, vijoi Papa, duhet të ndriçohemi nga një hir i veçantë: të jetojmë gjithnjë mbi bazën e fortë të nderimit të thellë e të dashurisë për Jezusin:
Nderim i thellë e dashuri për Emrin e Tij të Shenjtë. Siguri se Ai na nguli mbi shkëmb: mbi shkëmbin e dashurisë së Tij. E nga kjo dashuri ne duhet të japim përgjigje. Të japim përgjigje. E kur Jezusi na e bën këtë pyetje: ‘Kush jam unë për ty’, duhet menduar për këtë: unë jam i vendosur mbi shkëmbin e dashurisë së Tij. Ai më prin. Duhet t’i përgjigjem vendosmërisht mbi këtë shkëmb, nësa është ai vetë, që më prin”.
“Kush jam për ju?”, na pyet Jezusi. Nganjëherë turpërohemi t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, nënvizoi Papa Françesku, nga që e dimë se kemi në shpirt gjëra, që nuk shkojnë, jemi mëkatarë. Por është pikërisht ky çasti, në të cilin duhet ta lëshojmë gjithë vetveten në dorë të Tij e t’i japim një përgjigje të vërtetë, ashtu si bëri Pjetri mbi liqenin e Tiberiades: “Zot, ti di gjithçka”. E pikërisht në çastin kur e ndjejmë veten mëkatarë, Zoti na do shumë, vijoi Papa, e siç e vuri Pjetrin mëkatar në krye të Kishës së vet, kështu edhe me ne do ta bëjë diçka të mirë:“Ai është më i madh. Është më i madh! E kur ne themi, plot nderim të thellë e dashuri, të sigurt mbi shkëmbin e dashurisë e nën udhëheqjen e Tij: ‘Ti je Mesia’, kjo na bën shumë mirë, na bën të ecim përpara me siguri e ta marrim ditë për ditë mbi supe kryqin, që shpesh na rëndon shumë. Të ecim përpara kështu, me gëzim e duke e lypur këtë hir: premto që populli yt, o Atë, të jetojë gjithnjë duke e nderuar thellë e duke e dashur emrin Tënd të shenjtë! E me sigurinë se Ti do t’u prish gjithnjë atyre, që i ngule mbi shkëmbin e dashurisë sate! E ashtu qoftë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.