Papa Françesku gëzon me të vegjlit e "Trenit të femijëve", ardhur ne Vatikan
Sot, Papa Françesku, tha si zakonisht, lutjen e Engjëllit të Tënzot në mesditë e menjëherë
pas saj, u takua me pjesëmarrësit e nismës “Treni i fëmijëve” në Stacionin hekurudhor
të Vatikanit. Kjo nismë, është pjesë e “Oborrit të jo besimtarëve”, strukturë e Vatikanit
për dialogun kulturor, që kësaj radhe deshi t’u propozojë fëmijëve me probleme për
integrimin në shoqëri, laboratore për njohjen e historisë së punëtorëve, artizanëve
dhe artistëve, që kanë punuar për t’i dhënë formë e bukuri Duomos së Milanos, atij
të Bolonjës, katedrales së Shën Marisë së Lules në Firence (ku lulja simbolizon Krishtin)
dhe kolonave të sheshit të Shën Pjetrit, në Romë. Sot në mëngjes, rreth 250 fëmijë
u nisën me tren nga Milano, e pas ndalesave në Bolonjë e Firence, mbërritën në Vatikan,
në takimin me Papën Françesku. I gjithë udhëtimi u zhvillua në atmosferë feste, me
synimin që, përmes laboratoreve, fëmijët të prekin me dorë artin, komunikimin viziv
dhe gjuhën e imazhit. Shumë prej fëmijëve janë të huaj, siç shpjegoi kardinali Xhanfranko
Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës.