2013-06-22 15:06:05

Imzot Tomazi: e drejta e autorit të mos diskriminojë të verbërit në fushën e kulturës


Mbrotja e së drejtës së autorit nuk duhet të bëhet pengesë për të verbërit, kur është fjala për të marrë pjesë në veprimtari kulturore. Kështu foli Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomazi, në konferencën me këtë temë, zhvilluar në Marrakesh të Tunizisë. Personat që shikojnë pak, ose janë krejtësisht të verbër në botë, arrijnë shifrën 285 milion, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Rreth 90% prej tyre jetojnë në vendet në zhvillim, ose të pazhvilluara. Vetm 1% e librave, denoncoi imzot Tomazi, është në formatin, që mund të konsultohet prej tyre. Por edhe në vendet e zhvilluara, gjendja nuk është më e mirë. Këtu, vetëm 5% e librave të publikuar mendohen edhe për të verbërit.
Problemi, siç shpjegoi kryeipeshkvi, ka të bëjë me të drejtën e autorit, e cila duhet paguar edhe në rastin e shkrimit të librave në alfabetin Breil(Braille), për të cilin, zakonisht, mungojnë fondet, megjithëse teknologjia i ka ulur kostot dhe e ka lehtësuar punën. Mbrojtja e pronës intelektuale, nënvizoi imzot Tomazi, është vlerë e rëndësishme dhe duhet respektuar, por duhet t’i shërbejë së mirës së përbashkët të njerëzve. Të reformohet “copyright”, kërkoi me forcë Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, për të favorizuar këtë kategori njerëzish, pasi mundësi për të lexuar e për t’u kulturuar, do të thotë edhe përmirësim i gjendjes shoqërore dhe ekonomike për gjithë të verbërit.







All the contents on this site are copyrighted ©.