2013-06-21 17:09:12

Pakistan: Gjykata e Lartë i jep të drejtë një vajze të krishterë të dhunuar


Gjykata e Lartë e Lahorës e hodhi poshtë kërkesën për lirim me kusht të një myslimani, akuzuar për rrahjen dhe dhunimin e Fuzie Bibit, vajzë 15 vjeçare, e krishterë, banore e zonës Kasur, në Penxhab. Vajza u dhunua në shkurt 2013 nga dy burra myslimanë, Shabir Ali e Sher Muhamed, punëtorë në të njëjtën ndërmarrje, ku punon edhe familja e Fuzies. Pas padisë së familjes, Shabit Ali u arrestua, por policia u përpoq ta mbyllë çështjen për mungesë provash. E njoftuar nga avokatët e vajzës, agjencia Fides pohon se jemi para një rasti emblematik, që vërteton si i trajton policia rastet e dhunimit mbi pakicat e krishtera, posaçërisht mbi gratë e vajzat. Pak ditë më parë, mbi familjen e Fuzies u bënë presione të forta, edhe nga ana e një polici, farefis i të pandehurit, që ta tërhiqte padinë. Madje u arrit deri në akuzimin e një anëtari të familjes së vajzës, si dhunues, thjesht për frikësim. Atëherë i ati i vajzës, i këshilluar nga avokatët, e kaloi çështjen për gjykim pranë Gjykatës së Lartë të Lahorës, që duhet t’i garantojë më shumë asnjanësi. Në një notë drejtuar Fides, shoqata e krishterë “Lead”, që po e ndjek çështjen, shpreh besimin se fajtorët do të dënohen nga ligji e drejtësia do të jetë në anën e familjes së pafajshme të krishterë, të tronditur rëndë nga dhunimi i dyanshëm: i islamikëve e i drejtësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.