2013-06-20 15:17:47

Thirrja e Papës për refugjatët: kanë nevojë për mirëkuptim e mikpritje.


Dje, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa kujtoi Ditën Botërore të Refugjatit, kremtuar sot, dhe u kushtoi një mendim të posaçëm familjeve, të detyruara të largohen nga atdheu i tyre. Papa Françesku i ftoi të gjithë të reflektojnë për gjendjen e atyre që shpesh detyrohen të ikin me ngut nga shtëpitë e nga trojet, duke humbur pasuri e siguri, për të shpëtuar nga dhuna, persekutimi, diskriminimet e padurueshme për shkak të fesë së dëshmuar, të përkatësisë së një grupi etnik, të ideve të tyre politike:“Përveç rreziqeve të udhëtimit, shpesh këto familje duhet të përballojnë rrezikun e shpërbërjes e, në vendin ku kërkojnë shpëtim, të ndeshen me kultura e shoqëri të ndryshme nga e tyrja”.
Prej këndej, thirrja e fuqishme e Papës:
Nuk mund të jemi të pandjeshëm ndaj familjeve e ndaj të gjithë vëllezërve e motrave refugjate: jemi të thirrur t’i ndihmojmë, t’i mirëkuptojmë, t’i mikpresim. Uroj të mos mungojnë kurrë në botë njerëz e institucione, që i ndihmojnë: në fytyrën e tyre është e vulosur fytyra e Krishtit”.
Shumë prekëse për shqiptarët, që i kanë provuar e vijojnë t’i provojnë pasojat e largimit nga Atdheu, në kërkim të një jete më të mirë, e sidomos, më të ndershme, dje, larg diktaturës, sot, larg krimit të organzuar e korrupsionit, fjalët e Papës Françesku, vetë bir refugjatësh, që lanë Italinë në ato kushte, të cilat i përshkruan Ati i Shenjtë, për të kërkuar një jetë më të mirë në Argjentinë. Flet me fjalën që del nga shpirti, Papa, duke i kuptuar thellësisht rreziqet, që i presin të ikurit, në sa mendojnë se dikush do t’ua shtrijë dorën, për t’i nxjerrë në bregun e dëshiruar të një jete tjetër.
Mund t’u afronim mikrofonin tonë shumë shqiptarëve rreth e përqark, por zgjodhëm sot një kongoleze, fjalët e të cilës na kujtojnë pikërisht Shqipërinë, në prag të zgjedhjeve. Është Beatriz Ngoie Mbullumba. Iku nga vendi i vet më 2006, në prag të zgjedhjeve të para demokratike, pas dhjetra vitesh diktature. Asokohe ishte 36 vjeçe, e diplomuar në Ekonomi zhvillimi, pranë një Universiteti katolik të Kinshasës, vendlindje e saj. Përfundoi në burg, vetëm pse i bëri thirrje popullsisë të mos gabonte përsëri duke zgjedhur banditë në pushtet, por ta përdorte votën, mjet aq i çmuar i demokracisë, për të zgjedhur njerëz, që mbrojnë drejtësinë e paqen, që e ndihmojnë popullin për të punuar e për të jetuar me nder, që i kthejnë dinjitetin e humbur në vitet e diktaturës. Beatriçe, pse ju burgosën? Ndoshta për shkak të thirrjes suaj, që e shqetësoi fort ndokënd?

Përgjigje: - Punoja për formimin e njerëzve, pranë një organizate jo qeveritare e, gjatë takimeve me popullsinë, bëra thirrje për të zgjedhur njerëz të drejtë në qeverisje të vendit. Votimet e lira janë rast i madh për t’i hapur rrugën demokracisë, që ndërtohet me vepra, jo me fjalë. Nuk duhet shpërdoruar, prandaj. Por për shkak të varfërisë, ka edhe njerëz që e shesin votën për dy kacidhe! Fitojnë sa duhet për të jetuar një ditë, duke shitur një jetë! Mbështesin ata, që kanë etje për pushtet, pa e kuptuar se duke fituar pak, humbasin gjithçka. I fola qartë popullit tim, e fitova prangat. Më mbyllën në një burg ilegal, ku ruhen kundërshtarët politikë e ku mund edhe të të torturojnë. Nuk më mbajtën shumë, por duke dalë, nuk munguan kërcënimet. Nuk mund të rikthehesha, prandaj, në shtëpinë atërore. U strehova në shtëpinë e famullitarit e, në rastin e parë të favorshëm, m’u desh të ik nga atdheu. Me dëshirën e përhershme për t’u rikthyer. Sepse më shqetëson pa masë fati i familjes. Nuk e kam parë prej shtatë vjetësh. Sa të zgjatë regjimi i sotëm, nuk mund të kthehem në Kongo. Në vendin të cilit demokracia nuk i siguron as gjërat më fillestare për jetën: dritën e ujin! Nuk mund ta kuptoj sesi këta njerëz kanë fytyrë ta kërkojnë përsëri e përsëri pushtetin! Duhet të jetoj larg vendlindjes, krejt e zhgënjyer nga vendi, që më dëboi e edhe nga vendi, që më priti, ku natyrisht nuk m’u njoh fare diploma e m’u krijuan një sërë pengesash aspak të lehta për t’u kapërcyer. Ky është fati i atij, që largohet nga atdheu, ku nuk ka demokraci, ku nuk ka punë, ku nuk ka paqë, nuk ka mirëkuptim. Ku ka manipulime, gënjeshtra, mashtrime, korrupsion!







All the contents on this site are copyrighted ©.