2013-06-20 14:23:53

Papa Françesku për FAO-n: uria është shkandull, të mos spekullohet me çmimin e ushqimeve


Edhe sot, ka miliona njerëz, që vdesin nga uria: shkandull i vërtetë. E kemi dëgjuar shpesh këtë pohim, por kësaj radhe vjen nga goja e Papës Françesku, i cili, sot paradite, priti në Vatikan pjesëmarrësit e Konferencës së FAO-s, Organizatës së OKB-së për Bujqësinë e Ushqimin.
Jeni këtu, u tha Ipeshkvi i Romës, për t’i dhënë përgjigje nevojës parësore të shumë vëllezërve e motrave, asaj të bukës së përditshme, në një botë të përshkuar nga kriza ekonomike, konfliktet, ndryshimet e klimës, problemet e ambientit. Të gjithë duhet të përfitojnë njësoj nga frytet e Tokës, nënvizoi Ati i Shenjtë, e kjo, jo vetëm sepse duhet zvogëluar dallimi ndërmjet atyre që kanë e atyre që s’kanë, por sepse është sidomos kërkesë e drejtësisë, barazisë e respektit për çdo njeri:
“Njeriu dhe dinjiteti njerëzor, ka rrezik të kthehen në abstraksion përballë çështjeve si përdorimi i forcës, lufta, mungesa e ushqimit, mënjanimi, dhunimi i lirive themelore e spekullimi financiar, që në këtë çast, kushtëzon çmimin e ushqimeve, trajtuar si çdo mall tjetër, duke harruar destinacionin parësor”.
Vërtet, vazhdoi Papa Françesku, përjetojmë një krizë bindjesh e vlerash, duke përfshirë edhe ato, që përbëjnë bazën e jetës ndërkombëtare:
“…është e nevojshme t’i kundërshtojmë interesat dritëshkurtra ekonomike dhe logjikën e pushtetit të pak vetëve, të cilët e përjashtojnë popullsinë botërore dhe shkaktojnë varfëri e mënjanim, me efekte shkatërrimtare mbi shoqërinë. Gjithashtu, duhet të luftojmë korrupsionin, që sjell privilegje për disa e padrejtësi për më të shumtit”.
Nuk është puna thjesht për të pasur mëshirë, theksoi Ati i Shenjtë, e nuk është as ftesë për të ndarë pasurinë me të tjerët, apo për të favorizuar pajtimin ndërmjet njerëzve:
“Do të thotë të jemi gati, të vendosim ne vetë, për të ndarë çdo gjë e për të qenë samaritanë të mirë, e jo njerëz indiferentë ndaj nevojave të të tjerëve. …FAO-s, shteteve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, u kërkohet ta hapin zemrën.”
Në fund, Papa Françesku i nxiti drejtuesit e organizatës së OKB-së të vazhdojnë reformën për të garantuar një administrim më të mirë, më funksional e më transparent të FAO-s dhe lavdëroi vendimin e tyre për t’ia kushtuar vitin e ardhshëm “familjes fshatare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.