2013-06-20 15:18:04

Kalendari kishtar kremton festën e Shën Silverit: lutja drejtuar Shenjtit.


Kalendari i 20 qershorit përkujton Shën Silverin, papë e martir. Jetën e tij mund ta tregojmë me pak fjalë: me origjinë nga Kampanja, iu desh të përballonte tmerret e luftës greko-gotike, që zgjati 18 vjet. Gjatë këtyre vjetëve, u burgos e u internua në ishullin e Poncës, ku edhe vdiq.
Por sa ngatërresa, vuajtje e poshtërime fshihen pas këtyre pak fjalëve. Ishte bir i një pape tjetër shenjt, Ormisdës, i zgjedhur pasi kishte shërbyer në Kishë si diakon e kishte mbetur i vejë. Ndërsa Silveri u ul në fronin e Shën Pjetrit pas Agapitos I, vdekur në Kostandinopojë më 22 prill 536.
Pa hyrë në hollësirat e jetës së tij, që i kemi përsëritur shumë herë, sot po kujtojmë se Shën Silveri kremtohet në një datë të pazakontë për Kishën Katolike, më 20 qershor. Themi të pazakontë, sepse kjo datë nuk është as e lindjes e as e vdekjes, ndërsa Kisha Katolike i kremton shenjtorët pikërisht në datën e vdekjes që, për të krishterin, është datë e lindjes së vërtetë, asaj për qiell.
Në Martirologun Romak lexojmë: “Më 2 dhjetor, në ishullin e Palmarolës, u nis për qiell Shën Silveri, Papë e Martir i cili, duke mos pranuar ta shfajsojë Anthimin, ipeshkëv heretik i Kostandinopojës, shfronësuar nga paraardhësi Shën Agapito, me urdhër të perandoreshës Teodora, u dëbua nga selia e tij e u nis në internim, ku pësoi shumë mundime”.
Kisha katolike e shpalli shenjt dhe nisi ta kremtojë më 2 dhjetor. Ndërsa Ponca (Itali), që e ka pajtor, e kremton më 20 qershor. Në këtë datë shtatorja e Shenjtit mbartet me procesion mbi një mbajtëse në formë barke peshkimi, të mbuluar me karafila të kuq. E edhe vetë ishulli vishet për festë për tri ditë. Festë me fishekzjarre, lojra e muzikë. Festa u shtri në të gjithë Kishën, nga ishulli, që në këtë ditë i lutet kështu Shën Silverit:

“O Martir i lumnueshëm, Shën Silver, kryebari i Kishës e mëkëmbës i Krishtit. Ti arrite në pranga në këtë ishull, pse mbrojte fenë e vërtetë të krishterë, e na le si kujtim reliket e tua, të ndriçuara nga shumë mrekulli, që dëshmojnë shenjtërinë e të drejtit të persekutuar: ne të nderojmë si hero i Kishës, militant e ngadhënjimtar. Bashkojmë bekimet tona me ato të engjëjve, që admirojnë qëndrueshmërinë tënde e galdojnë nga gëzimi për forcën e fesë sate. O Pajtori ynë i dashur! Shpëtona nga çdo fatkeqësi në jetën tokësore e nga sulmi i zjarrit të ferrit, në fill të mortjes sonë. Ndihmona që, me fe të gjallë, shpresë të patrandshme e dashuri të flaktë, të vijmë për të gëzuar së bashku me ty, kënaqësitë që Zoti ynë Jezu Krishti na përgatiti në qiell”.

Jeta e Shenjtit, me pak fjalë:
Papnia e tij qe e shkurtër e tepër trazuar. U ngatërrua, pa dashur, në luftërat politike e fetare, që kishin përfshirë Italinë, për sundimin e së cilës ndesheshin me armë Bizanti e Ostrogotët, në sa në lindje vijonte veprimtaria e grupeve të monofizitëve, që mohonin natyrën njerëzore të Krishtit, të përkrahur nga perandoresha Teodora. Kujtojmë se pasojë e të kësaj herezie, të dënuar në vitin 451 nga Koncili i Kalçedonisë, ishte shkëputja e Kishës kopte, armene e jakobite të Sirisë.

Pak kohë pas fillimit të papnisë së Silverit, mbrojtësi i tij, Teodati, u rrëzua nga froni e u mbyt nga gotët. Te portat e Romës u dukën ushtritë ostrogote, që rrethuan qytetin. Filloi, nën ndikimin e fortë të Bizantit, lufta për pushtimin e Romës e të fronit papnor, që përfshiu gjithë klerin e kishës universale. Papa u akuzua se donte ta dorëzonte Romën në duart e armikut, i cili nisi një sulm të rreptë kundër mureve të qytetit të rrethuar. Silverin e kapën, e zhveshën nga rrobat e papnisë e e veshën si murg të thjeshtë.

Në vend të tij zgjodhën Vigjilin (537-555), ndërsa Silverin e internuan në Patara të Liçies. Ipeshkvi i vendit, i revoltuar për këtë ndërhyrje të turpshme të mbretërve në çështjet e fronit të Shën Pjetrit, shkoi në Kostandinopojë, ku protestoi pranë Perandorit Justinian, duke pohuar se në botë mbretër ka sa të duash, po papa është një i vetëm e mbretërit nuk kanë kurrfarë të drejte ta dëbojnë nga froni, besuar nga vetë Krishti Kryetarit të Apostujve e pasardhësve të tij. Perandori, i trembur, e ktheu Silverin në Romë me qëllim që t’i njihej pafajësia, gjë që shkaktoi reagimin e papës Vigjili, i cili jo vetëm që nuk e shfajësoi Silverin por, më 11 nëntor të vitit 537, e detyroi të abdikonte dhe e internoi në ishullin Palmaria (Ponca e sotme), ku vdiq nga torturat e nga uria më 2 dhjetor 538.

Trupi i Silverit nuk u mbart në Romë, siç ngjiste zakonisht me reliket e papëve të vdekur në internim, por mbeti në ishull, ku varri i tij u bë menjëherë vend shtegtimesh e mrekullish, që nisen të dokumentohen duke nisur nga shekulli XI. Të dy papët e shenjtë, Ormisda e Silveri, atë e bir në jetë, janë pajtorë të shumë vendeve, e edhe të vendlindjes së tyre, Frozinones.







All the contents on this site are copyrighted ©.