2013-06-20 15:17:18

Ati i Shenjtë: nuk mund t’i lutemi Atit, në se kemi armiq në zemër


Për t’iu lutur Atit tonë, duhet ta kemi zemrën në paqe me vëllezërit. Këtë pohoi sot paradite Papa Françesku në Meshë, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se ne besojmë në një Zot, që është Atë, është fare pranë nesh, nuk është pa emër, por njihet si Zot kozmik. Në Meshë, bashkëkremtuar edhe nga kardinali Zenon Groholevski, morën pjesë dy grupe bashkëpunëtorësh: të Kongregatës për Edukimin Katolik dhe të Muzeve të Vatikanit.

Lutja nuk është magji, por lëshim në krahët e Atit! Papa Françesku e përqendroi homelinë e sotme tek Atyna, që Jezusi vetë ua mësoi dishepujve të vet, siç tregohet edhe në Ungjillin e sotëm. Jezusi, tha Papa, na jep menjëherë një këshillë lidhur me lutjen: “Mos i shpërdoroni fjalët, mos bëni zhurmë”, zhurmë bote, zhurmë kotësie. E vërejti se lutja nuk është punë magjie, nuk bëhet mëni, me lutje. Ka njerëz që më thonë se kur ndokush shkon te shtrigani, u thotë shumë fjalë, për t’i shëruar. Po kjo është punë paganësh! Ne, Jezusi na mëson se “nuk duhet të shkojmë tek Ai ngarkuar me fjalë të tepërta, sepse Ai di gjithçka”. Fjala e parë që duhet t’i themi, është ‘Atë’. Ky është çelësi i lutjes. Pa e thënë këtë fjalë, nuk mund të lutemi:
“Kujt i lutem? Atit të gjithëpushtetshëm? Tepër i largët. Nuk e dëgjoj kurrë! As Jezusi nuk e dëgjonte. Kujt i lutem? Hyjit kozmik? Paksi tepër i zakonshëm, në këto ditë, apo jo?-... t’i lutemi Zotit kozmik. Mënyrë politeiste, që arrin me kulturën light... Ti duhet t’i lutesh Atit! Fjalë e fortë, kjo, ‘Atë’. Duhet t’i lutesh atij, që të krijoi, të dha jetë, ty. Jo të gjithëve: të gjithëve është tepër anonime. Ty. Mua. E edhe atij, që të shoqëron në udhën tënde. Që e njeh jetën tënde. Ai di gjithçka. E njeh gjithkënd: njeh të mirin e të keqin. Nëse nuk e nisim lutjen me këtë fjalë, jo duke e thënë me gojë, po me zemër, lutja nuk është e krishterë”.
E fortë, fjala Atë: hap të gjitha portat. Në çastin e flijimit, Izaku kujtohet se diçka nuk shkonte, sepse mungonte delja, por i beson të atit, e derdh shqetësimin në zemër të tij. E fjalën ‘atë’ pëshpëriti të parën, djali plangprishës, që shkapërderdhi trashëgimin, kur mendoi të kthehej prap në shtëpi. E ati e pa duke ardhur e ngarendi drejt tij e iu hodh në qafë, duke e mbështjellë me ngrohtësinë e dashurisë atërore. Atë, mëkatova, është kjo, pohoi përsëri Papa, çelësi i çdo lutjeje, në se duam ta ndjejmë se Ati na do vërtet.
Kemi një Atë shumë pranë, e? Që na rrok. Të gjitha ankthet e shqetësimet tona, t’ia lëmë Atit: ai i njeh mirë nevojat tona. Atit? Po cilit Atë? Atit tim? Jo Atit tonë! Sepse unë nuk jam bir i vetëm, asnjë nga ne nuk është, e në se unë nuk mund të jem vëlla, vështirë se mund të bëhem bir i këtij Ati, sepse është Atë i të gjithëve. Imi, sigurisht, por edhe i të tjerëve, i vëllezërve të mi. E nëse nuk jam në paqe me vëllezërit, nuk mund t’i them “Atë’ Atij”.
Kështu, shtoi Papa, shpjegohet fakti që Jezusi, pasi ua mësoi Atynën dishepujve, nënvizoi se po të mos i falim të tjerët, as Ati nuk do të na i falë mëkatet tona. Vështirë të falësh, vërejti, vërtet vështirë. Sepse në shpirt na bren përherë inati. Mendojmë: “Më ka bërë... e unë të mos ia kthej me të njëjtën monedhë?”:“Eh, jo, nuk mund të lutesh me armiq në zemër, me vëllezër armiq në zemër: nuk mund të lutesh! Është e vështirë, nuk është e lehtë. Atë, nuk mund të them ‘Atë’, nuk më vjen fjala në gojë. Është e vërtetë. E kuptoj. Nuk mund të them as ‘ynë’, sepse ky më ka bërë kështu e kështu e kështu... Nuk mundem! Këta duhet të shkojnë në fund të ferrit e pak e kanë! Nuk janë të mitë. Vërtet e vështirë. Po Jezusi na premtoi Shpirtin Shenjt: është ai, që na mëson, nga shpirti, nga zemra, si të themi “Atë’ e si të themi ‘ynë’ T’ia lypim sot Shpirtit Shenjt hirin të na mësojë të themi ‘Atë’ e të themi’ynë’, duke i shpallur paqen të gjithë armiqve tanë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.