2013-06-19 16:26:45

Shën Jozefi shtohet në Lutjet eukaristike II, III dhe IV të Mesharit Romak


Me një Dekret të Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, që mban datën e 1 majit, por u bë i njohur sot, Shën Jozefi, fati i Shën Marisë, shtohet në Lutjet eukaristike II, III dhe IV të edicionit të tretë tipik të Mesharit Romak, ashtu siç përmendet edhe në Kanunin Romak. Pra, në këto lutje, krahas emrit të Marisë, do të thuhet “…edhe me Shën Jozefin, fatin e saj”. Vendimi, shpjegohet në dekret, u mor nga Benedikti XVI, pas letrave e kërkesave të shumta, mbërritur në tryezën e Atit të Shenjtë, dhe u konfirmua nga Papa Françesku. Kujtojmë se devocioni për shën Jozefin është shtuar në Kanunin Romak nga Papa Gjoni XXIII, gjatë Koncilit II Ekumenik të Vatikanit.
“Përmes kujdesit atëror për Jezusin - thuhet në dekretin e sotëm - shën Jozefi i Nazaretit, në krye të Familjes Hyjnore, plotësoi katërcipërisht misionin e marrë… dhe u bë model shembullor i asaj përvuajtërie bujare, që krishterimi e ngre në majat më të larta, u bë dëshmitar i atyre virtyteve të përbashkëta, njerëzore e të thjeshta, të nevojshme që njerëzit të jenë ndjekës të ndershëm e të vërtetë të Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.