2013-06-19 16:27:49

Ndërhyrje e Selisë së Shenjtë në FAO: “Zhvillimi bujqësor e siguria ushqimore”


Delegacioni i Selisë së Shenjtë vlerëson veprimtarinë e FAO-s (Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë) në favor të zhvillimit bujqësor e të garantimit të ushqimit në botë. Ky objektiv, theksoi kreu i delegacionit, nunci apostolik, imzot Luigji Travaljino, në sesionin e 38-të të Konferencës së FAO-s, duhet arritur me impenjimin e të gjitha shteteve anëtare, duke respektuar parimin etik të solidaritetit, bazë për bashkëjetesën paqësore në botë. FAO, theksoi ai, duhet të marrë nga shtetet anëtare fondet e nevojshme për zbatimin e programeve të saj.
Më pas, imzot Travaljino përmendi disa nga fushat e ndërhyrjes së FAO-s, që Kisha Katolike i konsideron më interesante, si zhvillimi i prodhimit bujqësor e blegtoral, si edhe peshkimi, por me synimin e mëkëmbjes së ekonomisë familjare dhe të zhdukjes së varfërisë në fshat. Selia e Shenjtë i nxit shtetet të përkrahin artizanët, të cilët mbajnë familjet në pjesën më të madhe të vendeve në zhvillim. Ndërsa vendeve të zhvilluara, këshilla për të favorizuar ndryshimin e mënyrës së jetesës. Konsumi pa fre, shpërdorimi i ushqimit, ose përdorimi i prodhimeve bujqësore për qëllime, që s’kanë të bëjnë me ushqimin e popullsisë, është një model i dështuar, siç dëshmon kriza aktuale. Për të mos folur për dëmin, që u sjell brezave të ardhshëm.
Duhet punuar edhe me mekanizmat e shpërndarjes së prodhimeve ushqimore, theksoi imzot Travaljino, pasi, pavarësisht se sasia e tyre është më e madhe se nevoja, nuk arrin të pakësojë numrin e të uriturve. Shpërndarja e, si rrjedhojë, edhe bashkëjetesa paqësore ndërmjet kombeve, varet nga vendime, që duhen bazuar mbi parimin e solidaritetit, përfundoi përfaqësuesi i Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.