2013-06-18 12:31:08

Mbledhja e Roako-s për situatën e të krishterëve në Siri, Irak, Egjipt e në Tokën Shenjte


Kur flitet për Lindjen e Mesme, debati ndez njëmijë diskutime e kur është fjala për të krishterët, arrin maja edhe më të larta. “Gjenda e të krishterëve dhe e Kishave në Egjipt, Irak, Siri e në Tokën Shenjte”: kjo është tema e Asamblesë së 86-të të ROAKO-s, Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore, që u mblodh dje në Romë për të vijuar deri më 20 qershor. Rreth tryezës, ku ulen përfaqësuesit e 20 Agjencive katolike nga 10 vende perëndimore, edhe patriku kopto-katolik Ibrahim Isaac Sidrak dhe patriku kalde Raphael I Sako, të dy zgjedhur në detyrë në janar të këtij viti.
Lufta në Siri mbizotëron në diskutimet e pjesëmarrësve, të cilët dëgjuan relacionin e nuncit apostolik në Damask, imzot Mario Zenari, ndërsa legati apostolik në Jeruzalem, imzot Giuseppe Lazzarotti dhe rojtari i Tokës Shenjte, atë Pierbattista Pizzaballa hapën “dritaren” mbi gjendjen në Jeruzalen e në vendet e tjera, të shtrenjta për krishterimin.
Sot paradite, në orën 8.30, anëtarët e ROAKO-s morën pjesë në meshën e kremtuar nga kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, kushtuar bamirësve dhe paqes në Lindjen e Mesme. Të enjten, më 20 qershor, pjesëmarrësit e asamblesë do të priten në audiencë nga Papa Françesku.
Kujtojmë se ROAKO është organizëm kishtar, themeluar në vitin 1968 nga Kongregata për Kishat Lindore. Në të bëjnë pjesë agjencitë katolike, që përkrahin e mbështesin Kishat Lindore në të gjitha përmasat e veprimtarisë së tyre: kulti, kleri, formimi baritor, institucione edukative e shkollore, asistencë shoqëroro-shëndetësore etj..








All the contents on this site are copyrighted ©.