2013-06-17 15:25:20

Papa takohet me presidentin venezuelan Maduro: bisedohet për periudhën pas Chavez e trafikun e drogës


Analiza e situatës në Venezuelë pas Chavez-it dhe lufta kundër krimit të tregtisë së drogës, ishin sot paradite, në qendër të bisedimeve të Papës Françesku me presidentin e Republikës Bolivariane të Venezuelës, Nicolás Maduro Moros, që u prit në audiencë, në Vatikan. “Gjatë takimit, zhvilluar në një atmosferë të përzemërt, njofton një notë zyrtare e Sallës së Shtypit të Vatikanit, u bisedua posaçërisht për situatën shoqërore e politike në vend pas vdekjes së presidentit Hugo Chávez Frias, si dhe për disa probleme aktuale, si varfëria e lufta kundër kriminalitetit dhe trafikut të drogës. U cek edhe situata rajonale, me vëmendje të posaçme mbi procesin e paqes në Kolumbi.
Në vijim të bisedimeve, pohon komunikata, u kujtua edhe prania e Kishës katolike në vend dhe ndihma e saj vendimtare në fushën e bamirësisë, të shëndetësisë e të arsimit, duke theksuar se është i nevojshëm një dialog i sinqertë e i përhershëm ndërmjet Konferencës ipeshkvnore e Shtetit, për zhvillimin e mbarë Kombit”.
Në përfundim të audiencës me Papën Françesku, presidenti Maduro u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone dhe imzot Dominik Mambertì, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.







All the contents on this site are copyrighted ©.