2013-06-17 15:26:08

Papa Françesku: është Krishti sekreti i shpirtmadhësisë së të krishterit


Për të krishterin, Krishti është gjithçka e prej këndej buron edhe shpirtmadhësia e tij. Këtë nënvizoi Papa Françesku në Meshën kremtuar sot në mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës ne Vatikan. Papa pohoi se drejtësia, që sjell Jezusi, është më e lartë se ajo e skribëve, se drejtësia sy për sy e dhëmb për dhëmb. Në Meshën, bashkëkremtuar nga kardinali Atilio Nikora, ishin të pranishëm, ndërmjet tjerëve, edhe bashkëpunëtorët e Autoritetit të Informacionit Financiar si dhe një grup bashkëpunëtorësh të Muzeve të Vatikanit, shoqëruar nga drejtori administrativ, don Paolo Nikolini. Në Meshë ishte i pranishëm edhe kardinali Luis Antonio Tagle, kryeipeshkëv i Manilës.

“Atij, që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe tjetrën”. Papa Françesku e përqendroi homelinë mbi fjalët tronditëse, që Jezusi u drejton dishepujve të vet. Kjo e shuplakës, vijoi Papa, është bërë klasike, kur ndokush dëshiron të tallet me të krishterët. Në jetë, vijoi, logjika normale na mëson se duhet të luftojmë, duhet ta mbrojmë vendin tonë e se, po të na japë kush ndonjë shuplakë, ne duhet t’i rrijmë gati e t’i japim dy, e kështu edhe mbrohemi. Prandaj, kujtoi Ati i Shenjtë, kur i këshilloj prindërit lidhur me sjelljen ndaj fëmijëve, u them gjithnjë: “Mos i godisni kurrë në faqe. Sepse faqja është dinjitet”. Ndërsa Jezusi, vijoi, nuk ndalet tek shuplaka në të dyja faqet, por të kërkon të japësh edhe mallotën, të zhvishesh megjithësejt.
“Drejtësa, që sjell Ai, pohoi Papa, është krejt e ndryshme nga ‘syrin për sy e dhëmbin për dhëmb”. Është drejtësi krejt tjetër. E këtë, vërejti, mund ta kuptojmë nga fjalët e Shën Palit, i cili u flet të krishterëve, si njerëz që nuk kanë asgjë mbas shpirtit e, megjithatë, kanë gjithçka. Ja pra, siguria e të krishterit mbështetet tek kjo ‘gjithçka’, që është Jezusi. ‘Gjithçka’, shtoi, është Jezu Krishti. Sendet e tjera janë asgjë për të krishterin. Për shpirtin e botës, ‘gjithçka’ ka kuptimin e sendeve; pasurive, kotësive, posteve sa më të larta; ndërsa Krishti është ‘asgjë’. Nëse një i krishterë ecën 100 kilometra, kur i kërkojnë të përshkojë vetëm 10, e bën sepse për të kjo është ‘asgjë’. E mund të japë qetë-qetë edhe këmishën, kur i kërkojnë pallton. Ja pra, sekreti i shpirtmadhësisë së të krishterit, që sillet gjithnjë butësisht: është ‘gjithçka”, është Jezu Krishti.

I krishteri është njeri, që e ka zemrën e gjerë, shpirtin e madh. S’ka pse ngushtohet, as pse shqetësohet, sepse ka ‘gjithçka’, domethënë ka Jezu Krishtin. Sendet e tjera për të janë ‘asgjë’. Janë të mira, shërbejnë, por në çastin e ballafaqimit, zgjedh përherë ‘gjithçka’ me atë butësi të krishterë, që është shenjë dalluese e dishepujve të Krishtit: butësi e bujari! E të jetosh kështu nuk është aspak e lehtë, sepse shuplakat t’i japin me të vërtetë, e? T’i japin! E në të dyja faqet. Por i krishteri është i butë, është shpirtmadh; e ka zemrën të gjerë. E kur takohemi me të krishterë zemërngushtë, me zemër të vogël, që nuk shkojnë... ky nuk është krishterim, është egoizëm me maskën e krishterimit.

I krishteri i vërtetë, vijoi Papa, di ta zgjidhë këtë kundërvënie dypolare, këtë tension ndërmjet ‘gjithçkasë’ e ‘asgjësë’, ashtu si këshillon Jezusi: “Kërkoni një herë Mbretërinë e Zotit e drejtësinë e tij; të tjerat vijnë pas”.
Mbretëria e Zotit është ‘gjithçka’, tjetra është e dorës së dytë, nuk është kryesore. E të gjitha gabimet e të krishterëve, gabimet e Kishës, të gjitha gabimet tona, lindin pikërisht prej këtu, kur e quajmë ‘asgjënë’- ‘gjithçka’ e ‘gjithçka’, bah, na duket se nuk vlen fare. Ta ndjekësh Jezusin nuk është e lehtë, nuk është e lehtë. Por as shumë e vështirë nuk është, sepse në rrugën e dashurisë, Zoti i sjell punët në një mënyrë të tillë, që të mund të ecim përpara, na e zgjeron zemrën Ai vetë!

E kjo është lutja që duhet të bëjmë, shtoi, përballë këtyre propozimeve të shuplakave, të mallotës, të 100 kilometrave. Duhet ta lusim Zotin të na e zgjerojë zemrën, të na bëjë shpirtmëdhenj, të butë, e të mos kacafytemi për vogëlsira, për ‘hiçgjë’, ditë për ditë.







All the contents on this site are copyrighted ©.